Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka vënë theksin sërish tek çështja e pastrimit të parave në vend.

Ajo ka paraqitur disa dokumenta me shifra të Indeksit të Baselit në një postim në rrjetin social Facebook.

“Ndërsa qeveria dhe mazhoranca akuzojnë në kor opozitën se e ka fajin për cdo të keqe që ndodh në këtë vend, Indeksi i Baselit, treguesi më zyrtar për pastrimin e parave, bëhet raporti i dytë ndërkombëtar që vendos alarmin se në Shqipëri po pastrohen paratë e krimit dhe të drogës,” shkruan Tabaku.

Postimi i plotë

Indeksi i Baselit vendos alarmin për pastrimin e parave në Shqipëri!

Ndërsa qeveria dhe mazhoranca akuzojnë në kor opozitën se e ka fajin për cdo të keqe që ndodh në këtë vend, Indeksi i Baselit, treguesi më zyrtar për pastrimin e parave, bëhet raporti i dytë ndërkombëtar që vendos alarmin se në Shqipëri po pastrohen paratë e krimit dhe të drogës. Mbas Departamentit Amerikan të Shtetit, Indeksi i Bazelit, nënvizon edhe një herë Shqipërinë si një vend ku pastrohen paratë dhe që nuk ka asnjë përmisim të ndjeshëm në raport me një vit më parë. Lojërat e fatit, ndërtimi dhe hoteleria dhe pikat e këmbimit janë fushat kryesore ku kjo ndodh.

Për fatin e keq, raporti nënvizon që Shqipëria është një vend i përfshirë në afera të korruptive dhe pastrimit të parave. Raportet e Bankës së Shqipërisë që flasin për sasi marramendëse të eurove që blihen nga ajo për të sjellë brenda një logjike ekonomike kursin e këmbimit, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit apo edhe ai i EUROPOL si dhe së fundmi deklaratat e zotit Kukan janë disa prej zërave që transmetojnë të njëjtin shqetësim. Shqipëria, sot është kthyer në djepin e preferuar të kriminelëve për të pastruar paratë. Indeksi i Bazelit 2018 nënvizon qartë se Lavatriçja më e madhe në Ballkan jemi fatkeqësisht ne, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë përmisime të ndjeshme.

Jo vetëm kaq por në renditjen e vendeve me të ardhura të mesme, ne renditemi pranë Venezuelës, Bostauanas apo edhe Meksikës. Një shenjë tjetër domethënëse është se Shqipëria në këtë raport renditet e treta në renditjen për vendet e Ballkanit Perëndimor duke pasur para vetes Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Përditë e më shumë, gjithnjë e më fort raportet ndërkombëtare flasin për të vërtetat që opozita ka vite që i thërret ndërsa qeveria përpiqet të maskojë të vërtetën me gënjeshtrat që fabrikon në zyrat e propagandës. Ndaj mos u shqetësoni kur të dëgjoni të tjera fjalë për një vend që të gjitha raportet ndërkombëtare fatkeqësisht e konsiderojnë lavatriçen perfekte të parave të pista.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb