TIRANË- Prokurorja e Apelit në Tiranë, Fatjona Memçaj mund t’i shpëtojë vettingut dhe të rikonfirmohet në detyrën e saj. Këtë konfirmon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas hetimit gjashtë mujor në tre shtylla kryesore si pasuria, figura morale dhe aftësia profesionale.

Gazetarja Klodjana Lala konfirmon për “BalkanWeb” se ky komision e ka klasifikuar si të ligjshme pasurinë e prokurores, e cila ka deklaruar të ketë një apartament 96 metra katrorë në kryeqytet, një makinë, një motor dhe disa llogari bankare në shuma jo të mëdha. Megjithatë KPK-ja do shprehet përfundimisht më 3 maj.

Nga ana tjetër edhe DISK e ka certifikuar prokuroren dhe e ka deklaruar si të përshtatshme për të vijuar detyrën duke mos gjetur lidhje të saj me personazhe të botës së krimit.

Po ashtu edhe nga ana profesionale për të ka pasur dy ankime nga dy shtetas, por edhe në këto raste është konstatuar se prokurorja ka vepruar konform ligjit.

Prokurorja Fatjona Memçaj ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë prej vitit 2003, kur mbante postin e prokurores së rrethit në Tiranë. Në vitin 2007, Memçaj ka punuar si drejtoreshë e Koordinimit Ligjor në Presidencë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2012. Më pas, Memçaj është emëruar drejtore kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej vitit 2013 mban pozicionin e prokurores së Apelit në Tiranë.

Paralelisht me punën në Prokurori, Memçaj është përfshirë edhe në mësimdhënie. Në vitin 2016 ajo ka qenë edhe eksperte e programit të trajnimit vazhdues në Shkollën e Magjistraturës.

PASURIA
Memçaj deklaron dy apartamente banimi në vitin 2003 dhe 2004, më sipërfaqe 97 m2 dhe 96 m2, ku është pronare me vetëm 20 %.

Bashkë me bashkëshortin Dashamir Alsula, ata deklarojnë 9 makina, por në vlera nën 6 mijë euro. Nga viti 2004 deri në 2007-n, prokurorja ka deklaruar përveç pagave të familjarëve edhe një depozitë në vlerën e 150 mijë lekë dhe mesatarisht 2 mijë euro kursime vjetore nga pagat.

Më tej, vijon deklarimi i pagës së bashkëshortit pranë KQZ dhe pagat e tjera që çifti përfitonte nga mësimdhënia. Të tjera pagesa ata kanë përfituar nga punësimet pranë Presidencës apo Prokurorit të Përgjithshëm. Në 2016 është çelur llogari kursimi nga bashkëshorti në shumën 4001.12 euro.

Është marrë kredi, sipas kontratës së datës 16 shkurt 2016 në shumën 408 mijë lekë, e cila është shlyer. Në seancën e sotme dëgjimore, do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet nga Alma Faskaj, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: