Pas pothuaj 10 vitesh Ministria e Arsimit ka rinisur pasurimin e bibliotekave shkollore me libra artistikë. Një bord i ngritur prej saj ka përzgjedhur disa tituj nga disa shtëpi botuese, dhe tanimë ka nisur shpërndarja e tyre. Kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, thotë në një intervistë për News 24 se procesi ka lënë shumë për të dëshiruar.

I gjithë procesi ka qenë në gjysmë errësirë. U zhvillua në forma kontradiktore e konfliktuale. U ngrit një bord. Ndodhi ajo që rregullat u ndryshuan gjatë rrugës e punës së bordit, aq sa një pjesë e mirë e bordit nuk pranoi të nënshkruante listën që ju imponua nga Ministria e Arsimit. Pse duhet të tërhiqeshin ata, ata patën një arsye të fortë që u tërhoqën nga bordi.
Lista me 660 libra artistikë për pasurimin e bibliotekave të shkollave, e miratuar nga bordi i ngritur nga Ministria do miratohej nga Këshilli Kombëtar për Nxitjen e Leximit, por Ymeri thotë se këshilli nuk u mblodh.

“Kemi parë një listë që nuk duket fare e mirë. Një listë e mykur, e vjetër,. Ka tituj që nuk janë më. Ka shtëpi botuese që nuk janë më e janë në listë. Është fare pak letërsia e re e botuar këto 10 vitet e fundit. Më shumë duket sikur ministria është përpjekur të bëjë qokat me shtëpitë botuese. Nuk janë shtëpitë botuese objekti dhe subjekti i kësaj. Janë nxënësit. Kam përshtypjen se janë 20 mln lekë të reja. Çështja kryesore është mediokriteti i listës.”, -thotë Ymeri. Përtej favorizimeve, për Ymerin problem kryesor mbeten titujt që shkojnë te nxënësit.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb