NGA ORNELA MANJANI*

Ndryshojnë procedurat për pajisjen me lejedrejtim mjeti. Në dosjen për aplikimin për patentë nuk kërkohet më leja e banimit dhe as analiza e grupit të gjakut. Personat të cilëve u është hequr lejedrejtimi pas datës 21 janar 2016, kanë të drejtë ta rimarrin atë nëpërmjet provimit të kualifikimit teorik nga 16 prilli 2016. Rregullorja e re është publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ku bëhet e ditur se, në zbatim të ndryshimeve të Kodit Rrugor, kanë nisur të zbatohen disa ndryshime në procedurat e regjistrimit të kandidatëve për drejtues mjeti si dhe për lëshimin dhe rinovimin e lejedrejtimit.

Ndryshimet
Ndryshimet nisin që në procedurat e regjistrimit të kandidatëve për drejtues mjeti, lëshimin dhe rinovimin e lejedrejtimit. Sipas rregullores, lejedrejtimi ekzistues do të vazhdojë të lëshohet deri në përfundimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore dhe infrastrukturës teknologjike të nevojshme (për zhvillimin e sistemit informatik) për modelin e ri të lejedrejtimit. Ndërkohë, vlefshmëria e lejedrejtimeve ekzistuese do të vazhdojë deri në datat përkatëse të përfundimit të tyre. Rinovimi i lejedrejtimeve ekzistuese do të bëhet sipas modelit ekzistues. Me daljen e modelit të ri të lejedrejtimit, rinovimi do të bëhet sipas modelit të ri. Ndërkohë që, taksat dhe tarifat e pajisjes me lejedrejtim nuk ndryshojnë.

Dokumentet
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ndryshimet në dokumentet e regjistrimit të kandidatëve për t’u pajisur me lejedrejtim janë: Vërtetim banimi, hiqet; grupi i gjakut dhe Rezusi, hiqet; certifikata mjekësore bëhet me afat vlefshmërie jo më të hershme se 6 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës për regjistrim (nga 3 muaj që është deri tani). Ndërsa pagesa e tarifës së shërbimit për lejedrejtim dhe e tarifës së pajisjes me lejedrejtim bëhet pasi kandidati ka fituar provën e praktikës, dhe përpara aplikimit në sistemin e-Form. Përpara aplikimit në sistemin e-Form, kandidatët të cilët janë shpallur fitues në një drejtori rajonale jashtë juridiksionit të vendbanimit të tyre, duhet të kryejnë edhe pagesën e transferimit të dosjes për në drejtorinë rajonale ku ata kanë vendbanimin.

Rimarrja e lejes
Personat të cilëve u është hequr lejedrejtimi pas datës 21 janar 2016, kanë të drejtë ta rimarrin atë nëpërmjet provimit të kualifikimit teorik nga data 16 prill 2016. Në rregulloren e re janë parashikuar edhe afatet e vlefshmërisë së lejedrejtimit dhe moshat. Sipas vendimit, për lejet e drejtimit të kategorisë A, B, BE për drejtuesit e mjeteve deri në moshën 50 vjeç, afati i vlefshmërisë është 10 vjet. Për të njëjtën kategori patentash, vlefshmëria e saj është 5 vjet për moshat nga 60-70 vjeç.

Kërkesat dhe procedurat për marrjen e lejedrejtimit të mjetit

Për marrjen e lejedrejtimit, personi i interesuar duhet:
a) të dorëzojë dokumentet e nevojshme në një autoshkollë të licencuar për kategorinë e lejedrejtimit të kërkuar;
b) të regjistrohet, nga sektori përkatës i DRSHTRR-së, nën juridiksionin e së cilës ndodhet autoshkolla, dhe të pajiset me leje për vazhdimin e kursit teorik të përgatitjes për kategorinë e kërkuar;
c) të marrë njohuritë teorike pranë autoshkollës, për kategorinë e kërkuar, sipas programit mësimor të miratuar nga ministri që mbulon veprimtarinë përkatëse;
ç) të fitojë provën e kontrollit të njohurive teorike me rezultat pozitiv, pranë sektorit përkatës të DRSHTRR-së;
d) të pajiset me autorizim, për vazhdimin e kursit të ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, nga sektori përkatës i DRSHTRR-së, nën juridiksionin e së cilës ndodhet autoshkolla;
dh) të kryejë programin e ushtrimit të drejtimit të mjetit pranë autoshkollës, për kategorinë e kërkuar, sipas programit mësimor, të miratuar nga ministri që mbulon veprimtarinë përkatëse;
e) të fitojë provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes me rezultat pozitiv, pranë sektorit përkatës të DRSHTRR-së.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: