*Fino: Kundër ndryshimeve në qeveri, Peza: Gjithmonë ka nevojë për impulse të reja

TIRANË-Deputetë të Partisë Socialiste nuk shprehen në union mbi ndryshime të mundshme në qeveri. Bashkim Fino shprehet se është totalisht kundër ndryshimeve në qeveri, kurse Alfred Peza shprehet se qeveria ka nevojë për impulse të reja. Kurse nga kampi blu, Patozi shprehet se ndryshimi dje, vërtetoi se kryeministër nuk është Edi Rama, por kreu i Parlamentit, z Ilir Meta.

Deputeti socialist Bashkim Fino ka deklaruar sot se është kundër ndryshimeve në qeveri. Në një prononcim për News24, Fino ka vlerësuar ish-ministrin Naço duke u shprehur se shpreson që edhe pasardhësi i tij të jetë në një njëjtën lartësi.

“Unë jam kundër ndryshimeve në qeveri. Është mendimi im personal. Ë vlerësoj zotin Naço për punën si dhe për dorëheqjen e tij. Shpresoj që ministri tjetër të jetë në lartësinë e Naços. Unë nuk jam nga ata që mendoj që kryetari i LSI i imponohet kryeministrit. Ata janë dy partnerë që kanë kontratë të përbashkët për të qeverisur”, ka thënë Fino.

Ndryshe është shprehur deputeti tjetër socialist, Alfred Peza. Ai tha se “ka gjithmonë nevojë për impulse të reja”.

Patozi
Kurse deputeti i PS, Astrit Patozi theksoi se ka prej një muaji që deklaron se ka rënë qeveria. Kurse me ndryshimin e një ministri dje, sipas Patozit u dëshmua se, kryeministër i vendit është Ilir Meta.

“Kam të paktën një muaj që deklaroj se ka rënë qeveria dhe unë i qëndroj kësaj pikëpamje. Dje nuk eshte rrezuar ministri i drejtesisë por ne fakt është ndërruar kryeministri. Prej dje nuk kemi kryeministër Edi Ramën, por kemi kryeministër Ilir Metën”, u shpreh Patozi në një prononcim për News24.

Sipas Patozit, nuk ka më rëndësi nëse bëhen ose jo ndryshime, pasi mesazhi i djeshëm është tepër i qartë.
“Edhe pse pushteti ka ndërruar duart kjo është një qeveri e rëndë dhe nuk ka asnjë rëndësi nëse bëhen ndryshime ose jo. Meta dha dje një mesazh fare të qartë se është ai i zoti i vendit dhe gjithçka që do të ndodhë pas kësaj ëhtë një kalkulim i qartë i mafias në qeveri”.

(d.b/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: