Lëvizja e Astrit Patozit kundër Lulzim Bashës do të vijojë brenda Partisë Demokratike. Ai tha në Top Story se ka një alternativë të brendshme në PD, që sipas tij e bën partinë më përfaqësuese.

“Unë bashkë me kundërshtarët e Lulzim Bashës dhe këtë fluks demokratësh janë shumë më tepër sesa të përjashtuarit nga lista për deputetë. Kush hap debatin e listës do ta fshehë problemin”, deklaroi ai.

Sipas Patozit përçarja e partisë shmanget duke njohur kritikët si alternativë dhe testimi i kësaj alternative.

“Që ne të vazhdojmë bashkë, që kjo parti të mos shkërmoqet, duhet që Basha ta njohë si alternativë dhe ta njohë sesa vlen. Ne mendojmë se sot jemi shumica, mund të jemi gabim, por duhet të provohet. Por, alternativa ‘Basha’ është e dështuar dhe kjo është e provuar”, tha Patozi.

Patozi ka komentuar edhe intervistën e dhënë nga ish-kryeministri Sali Berisha pak ditë më parë. Sipas Patozit, në atë intervistë Berisha ka thënë disa të vërteta që duhet t’i kishte thënë më parë.

“Në atë intervistë u thanë disa të vërteta. Por këto të vërteta duhet të ishin thënë më parë.
Për çfarë ka vlerë kjo intervistë? Së pari Basha dhe lideri i PD-së Sali Berisha, është se të dy ata pranojnë faktin se PD është në krizë përfaqësimi. Kjo sepse ata që janë aty janë përfaqësues së Bashës. Kjo është ajo që duhet diskutuar. Diskutimi për listën Basha kishte vlerë për aq kohë sa ajo u zgjedh dhe shkoi në zgjedhje. Në çastin që kjo listë u votua ky debat u mbyll. Nëse PD do të fitonte zgjedhjet në atë listë unë do ti shtrëngoja dorën Bashës”, tha Patozi.

I pyetur nëse ka pasur një dualizëm në përfaqësimin e PD-së, Patozi pohoi.
“Po ka qenë Basha, por Berisha ka qenë një hije e fortë. Por duhet të themi që të gjitha ato që ka thënë Berisha, janë akuza të rënda për Bashën”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb