Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi teksa ka rezerva për raportimet e lajmeve mbi situatën në vend sa i takon të prekurve me COVID-19, deklaron se në këto momente na duhen sa më pak të tilla.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Patozi ndalet tek rasti i 61-vjecarit nga Tirana i cili u raportua nga mjekët si fillim se ndërroi jetë për shkak të virusi, më pas u tha se ai ishte në vdekje klikine. Sipas Patozit, lajme të tilla nuk i duhen as dreqit.

NUK NA DUHEN LAJMET “LIVE” NGA SPITALI, PUNA ËSHTË SI TË MOS SHKOJMË ATJE
Një 61 vjeçar i prekur rëndë nga koronavirusi u shpall i vdekur në mëngjes, por u “ringjall” fatmirësisht në mesditë. E di që nuk ka qenë e qëllimshme, por është rasti për të reflektuar se lajme të tilla nuk i duhen as dreqit. Nuk janë as etike, as profesionale, por mbi të gjitha, ato janë krejtësisht të padobishme. Ndaj edhe duhen kursyer këto energji të panevojshme, që shkaktojnë, jo vetëm dëme, por edhe emocione të papërshtatshme, thjesht për shkak të një keqkuptimi.
Nuk shikoj asnjë arsye pse të çohet dëm respekti dhe mirënjohja e merituar për punën e përkushtuar të qindra gazetarëve, të cilët në këto kohëra të vështira rrezikojnë jo pak për të na mbajtur të informuar.
Por ne nuk kemi nevojë ta mësojmë në kohë reale vdekjen e çdo të sëmuri me koronavirus, ndaj edhe duhet ndërprerë kjo gara e pakuptimtë, se kush do ta japë njoftimin e pari.
Qytetarëve të mbyllur në shtëpitë e tyre u mjafton buletini zyrtar një herë në ditë, ashtu si kudo në botë, për të mësuar ekzaktësisht, se sa është përhapja dhe sa është numri i viktimave të COVID 19.
Askujt nuk i vlen gjuetia e pakuptimtë për hollësi të panevojshme të asaj që ndodh brenda mureve të spitaleve infektive, përveçse është një hall më shumë për stafet mjekësore. Sepse, sikur të mos u mjaftojë ngarkesa me të sëmurët, ata duhet të përballojnë edhe presionin e atyre, që e presin me padurim lajmin jashtë, mundësisht përpara se ngjarja të ndodhë.
Spitali është stacioni i parafundit i kësaj lufte dhe gjithë merita është që ta shtyjmë sa të mundemi mbërritjen atje. Ndaj edhe është koha që njerëzit të informohen më shumë se si ta arrijnë këtë synim ekzistencial.
Ata sot kanë nevojë të dinë se çfarë gjërash thelbësore duhet të ndryshojnë nga jeta e tyre, që në radhë të parë, të mos bëhen për spital. Dhe kjo është një betejë e vështirë, që fillon në minutën e parë të liridaljes për nevoja të domosdoshme dhe mbaron në sekondën e fundit të karantinës, për të cilën askush në planet nuk e di me siguri sa do të zgjasë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb