Tirana nuk di të ndalët, kampionët thyejnë ekipin e momentin, Egnatian, duke rrëmbyer kreun e klasifikimit. Bardheblutë marrin një dhuratë të çmuar në distancë nga Laçi me kurbinasit që mposhtën Partizanin. Nuk ka efekt kura Shpëtim Duro, si rrallë herë teknikun del duar bosh nga kryeqyteti, rrogozhinasit bien pas dy fitoreve radhazi. Xhixha mbetet sërish thatë, por këtë herë ai që bën heroin për Tiranën ishte Patrik, autor i golit të vetëm.

Të dy ekipet zbritën të kujdesshme në fushë, shumë pak raste për shënim, shumë pak emocione. Xhixha në të 29-tën provoi të kthente një top në qendër, por Sherri në pozicion kontrolloi pa shumë probleme. Dy minuta më pas ishte Canaj që provoi me një goditje me kokë, me topin që shkoi ngjitur me shtyllën pingule.

Me fillimin e pjesës së dytë, Patrik përfitoi nga një keq pozicionim i mbrojtjes së Egnatias dhe me portën e boshatisur dërgoi topin në rrjetë dhe Tiranën në avantazh. Bardheblutë i shkojnë shumë pranë golit të dytë, por Hasani i vetëm përballë Sherrit nuk arrin të kalojë portierin e Egnatias. Miqtë reaguan me Mihanan, por e majta goditja e tij nga distanca përfundoi pak mbi traversë. Minuta e mbetura nuk sollën ndryshim në rezultat, me kampionët që e shohin veten në krye në kuotën e 21 pikëve, 2 më shumë se Partizani ndjekës.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: