TIRANË

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj foli sot në Kuvend për vlerësimin e Misionit të FMN për situatën ekonomike të vendit në mbyllje të vizitës së tyre në Shqipëri, duke konfirmuar se ekonomia shqiptare është ringritur me shpejtësi pas dy goditjeve tërmetit dhe pandemisë.

“Ekonomia shqiptare është bazuar në sektorë të rritur dhe në konsum, në shpenzime të rritura. Konsumi është rritur 10%. Bilanci i autoriteteve për të mbajtur nën kontroll deficitin fiskal dhe për të ulur borxhin përpara goditjeve, u ka krijuar atyre besueshmërinë dhe hapësirën për politikat e ndjekura, duke i lejuar të reagojnë shpejt, për të mbrojtur Shqipërinë nga efektet e rënda të goditjeve” – citoi Ahmetaj.

Duke folur për krizën energjetike Ahmetaj tha se furnizimi me energji është prioritet për qeverinë dhe nuk do të ketë rritje te çmimit për qytetarët dhe biznesin e vogël, ndërsa çmimi i energjisë është ulur krahasuar e qeverisjen e PD.

“Në vitin 2013 humbjet ishin 45%, do kishim ne mundësinë të bënim këto që po bëjmë? Absolutisht jo. E dini sesa ka qenë humbja për shkak të menaxhimit tuaj të keq? 1,1 miliardë euro! Si vini këtu diskutoni pas asnjë lloj reference teknike për 10 milionëshin, thoni keni blerë 10 milionë euro më shumë. Faturat e papaguara? I kishit mbi 60 mijë fatura aforfe. Sot janë 1 milionë e 200 mijë abonentë, 800 mijë paguajnë rregullisht. Janë 200 mijë familje që ne i mbështesim për çmimin e energjisë elektrike.

E dini çfarë bëtë ju me çmimin e energjisë elektrike?

E morët 4.5 lekë, e çuat 7.7 lekë. Dhe kë subvencionuat? Subvencionuat CEZ-in. Ne e ndryshuam logjikën e çmimit, hoqëm fashën, sepse hynin edhe të gjithë oligarkët, siç i referoheni ju, që përfitonin nga fasha. Dhe çfarë ndodhi? E ulëm çmimin nga 13.5 lekë në 9.5 lekë/kilovat. Është ulur çmimi i energjisë. Nuk e rrisim çmimin e energjisë, thoni çfarë të doni.”

Ahmetaj shtoi se rindërtimi po vijon me ritme të shpejta dhe se brenda 25 nëntorit 700 familje do të kenë hyrë në apartamentet e reja të ndërtuara nga FSHZh dhe mbi 2000 banesa individuale, përfshirë grantet e rindërtimit, do të jenë përfunduar, ndërsa shpërndarja për familjet do të bëhet me short.

Fjala e plotë:

Faleminderit Kryetare,

Besoj do flasim për të dyja debatet kryesore, qoftë pjesa e ekonomisë që ka lidhje me buxhetin e shtetit, qoftë pjesa për krizën e manaxhuar dhe të manaxhueshme të energjisë.

Dua të ndaloj sërish tek ajo që FMN ka thënë për ekonominë shqiptare, është e rëndësishme sepse të gjithë apologjitë gjysëm-migjeniane të bazuara në padituri dhe emocione perverse, nuk e tregojnë faktin sikurse statistikat dhe ajo që thotë Fondi Monetar. Në thelb FMN thotë “ekonomia shqiptare është ringritur me shpejtësi pas dy goditjeve tërmetit dhe pandemisë. Ekonomia shqiptare është bazuar në sektorë të rritur dhe në konsum, në shpenzime të rritura. Konsumi është rritur 10%.

Flisni për varfërinë, po, patjetër varfëria është relative. Vazhdon të jetë në Shqipëri, është më pak seç ka qenë. Prandaj debatojmë, diskutojmë dhe vijmë dhe propozojmë reforma si maxhornacë. FMN ju fton si aktorë. Kur flet për aktorët që “duhet të jenë racionalë dhe të marrin pjesë në vendimmarrjen e vendit”, e ka edhe për ju si opozitë, edhe për ju e ka patjetër.

Vini këtu bëni fjalime me apologjizma, nuk thoni asgjë, bëni diskutim për çmimet, po hajde ballafaqohemi për çmimet po nuk do nxirrni gjë, do dilni ditë e zezë, po jua them unë, këtu I kam të gjitha një nga një.

FMN shton se po, e përballuam krizën për shkak të mirë-menaxhimit të financave publike në 6 vite. Ja ku e keni, “bilanci i autoriteteve për të mbajtur nën kontroll deficitin fiskal dhe për të ulur borxhin përpara goditjeve, u ka krijuar atyre besueshmërinë dhe hapësirën për politikat e ndjekura, duke i lejuar të reagojnë shpejt, për të mbrojtur Shqipërinë nga efektet e rënda të goditjeve”.

Çfarë lexoni ju?

Apo vini këtu dhe përfaqësoni ato “zemrat e zjarrta” (që iu referuar Kryetar juaj), që nuk ju votuan. Ato sillni? Patjetër, ka zemra të zjarrta që ju votuan, ka zemra të zjarrta që nuk ju votuan; në neto, ju solli prapë në opozitë për shkak të të njëjtave arsye, për shkak të së njëjtës bolori fjale dhe mënyre. Më vjen keq që iku Kryetari, më vjen shumë keq se ato fjalë kur i nxjerr nga goja, do duhet t’i presë mbrapsht. Patjetër që durimi ka kufi, sigurisht që mirësjellja është në bazë të kësaj foltore, por fjalët janë jo-dinjitoze jo vetëm për atë që është Kryetar i opozitës, por për askënd edhe jashtë këtij parlamenti.

Kërcënuat patronazhistët, t’i vini anash!

Patronazhistët janë “zemrat e zjarrta” që votuan Partinë Socialiste. I kërcënoi këtu, tha “do t’jua tregojmë në rrugë”. Çfarë do t’u tregoni? Me grupet tuaja të armatosura? Na vini anash, po jua them.

Ne do punojmë me dashuri, më përkushtim brenda të gjitha instrumenteve që na i lejon demokracia, për të fituar edhe mandatin e katërt, edhe me patronazhistët, por me dashuri, me punë, me reforma dhe me besueshmëri siç i referohet FMN.

Çmimet? Jeni në vetë apo jo? Ja ku janë çmimet e eurodiesel. Sipër jeni në kohën tuaj prapë, megjithë 270 lekëshin që ne e kemi taksë të qarkullimit, po, ia hoqëm makinave në tërësi ku përfshiheshin edhe ato që përdoren, edhe ato që nuk përdoren dhe i kaluam tek ata që i përdorin, në bazë të konsumit të benzinës apo gazoilit. Koncept i drejtë, patjetër.

Vini këtu thoni subvencionin këtë dhe atë shtresë, pastaj vini thoni hiqeni këtë dhe atë taksë. Ka ndonjë lidhje e gjithë kjo apo lidhja është tek zemrat e zjarrta që nuk ju votojnë, apo tek kafshët e pyllit?

Flisni për krizën energjetike. Nuk duhet të flisni, vërtet.

Edhe një koment për ju që merreni me ekonominë dhe thoni “keni rritur borxhin, keni rritur borxhin”. Lexoni ju ndonjë fjali se çfarë bëhet në botë apo nuk lexoni? Ja ku e keni, janë 100 vende që përdorin rregullin fiskal. Të 100-ta e kanë thyer për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Po, u zgjerua fiskalisht, e po të jetë nevoja do të zgjerohemi prapë, se kemi besueshmëri.

Po çfarë bëmë me ato? Se kur vjen dekreti i Presidentit këtu, thotë nuk keni emergjencë.

Si nuk paskemi emergjencë? Kemi emergjencë për vaksinat, kem emergjencë për investimet publike, çfarë doni t’i thoni qytetarëve të Tiranës ju zemrat e zjarrta? Që nuk do të bëhet unaza e Tiranës? Do bëhet. Çfarë do t’i thoni ju zemrat e zjarrta qytetarëve të Vlorës e gjithë Shqipërisë, që nuk do bëhet tuneli i Llogorasë? Po do bëhet, patjetër. Çfarë doni t’i thoni ju qytetarëve të Gjirokastrës, që nuk do bëhet Kardhiq-Delvinë? Po do bëhet, patjetër. Çfarë doni të thoni ju, që nuk do bëhet ujësjellësa? Do bëhen, patjetër që do bëhen. Është emergjencë! Prandaj dhe unë ju ftoj që ta rrëzojmë dekretin e Presidentit. Bëni çfarë të doni, ju rrëzoni paratë e vaksinave, paratë e investimeve publike, ju rrëzoni paketën sociale që ne e dyfishuam për shkak të besueshmërisë.

Përsa i përket krizës energjetike ju nuk duhet të flisni, po nuk duhet të flisni se ato tre pika që ka thënë Kryeministri, ato janë garantim për furnizim me energji elektrike për familjarët dhe sipërmarrjen, po, pika e parë dhe më e rëndësishmja.

E dyta, nuk ka rritje çmimi për qytetarët dhe sipërmarrjen e vogël, thatë do ketë, nuk ka, nuk ka. Do kujdesemi edhe për shtresën tjetër, atë që ju rëndom i quani oligarkë, por që s’janë oligarkë, janë punëdhënës, gjithmonë janë punëdhënës, çdo ditë janë punëdhënës.

Ka dhe një të vërtetë tjetër që ju e dini: imagjinoni për një sekondë sikur të ishim në vitin 2013. Pikë e zezë. Në vitin 2013 humbjet ishin 45%, do kishim ne mundësinë të bënim këto që po bëjmë? Absolutisht jo.

E dini sesa ka qenë humbja për shkak të menaxhimit tuaj të keq? 1,1 miliardë euro! Si vini këtu diskutoni pas asnjë lloj reference teknike për 10 milionëshin, thoni keni blerë 10 milionë euro më shumë.

Hyni tek bursa, pastaj hyni tek çmimet, pastaj hyni tek platforma. Ju, dhe ndonjëri nga ju ka qenë atje që shiste dhe blinte ballë për ballë, fytyrë me fytyrë; sot s’ka ashtu, sot është me platformë online blerja e energjisë, është larg “marrëveshjeve” që bënit dikur.

1,1 miliardë euro dëm keni bërë dhe vini këtu diskutoni pa asnjë logjike teknike 10 milionëshin, pa asnjë logjikë teknike se nga vjen çmimi i energjisë, si vjen këtu energjia, nga transmetohet, cila është kosto në vlerë e parasë, pse OSHEE paguan për 180 ditë dhe nuk paguan menjëherë etj., etj. Po këto ose nuk i dini, ose nuk doni.

Faturat e papaguara? I kishit mbi 60 mijë fatura aforfe. Sot janë 1 milionë e 200 mijë abonentë, 800 mijë paguajnë rregullisht. Janë 200 mijë familje që ne i mbështesim për çmimin e energjisë elektrike.

E dini çfarë bëtë ju me çmimin e energjisë elektrike?

E morët 4.5 lekë, e çuat 7.7 lekë. Dhe kë subvencionuat? Subvencionuat CEZ-in. Ne e ndryshuam logjikën e çmimit, hoqëm fashën, sepse hynin edhe të gjithë oligarkët, siç i referoheni ju, që përfitonin nga fasha. Dhe çfarë ndodhi? E ulëm çmimin nga 13.5 lekë në 9.5 lekë/kilovat. Është ulur çmimi i energjisë. Nuk e rrisim çmimin e energjisë, thoni çfarë të doni.

Ne do ta përballojmë krizën siç kemi përballuar të dy goditjet e mëparshme, me shumë kujdes, me shumë maturi, pa debat pervers këtu me sharje, por me debat që sjell propozime. Mund të keni dhe propozime të mira, jua kam thënë, mund të keni, po ju lutem sillini. Ju lutem sillini dhe do ta marrim parasysh.

Po jua përsëris që furnizimi me energji elektrike për qytetarët dhe sipërmarrjet është parësor për ne, parësor. Jemi ulur me të gjitha kompanitë, lajmet e mira janë duke ardhur fatmirësisht, kanë ardhur, siç është rasti i Statkraft për shembull. Dhe për hir të së vërtetës, kemi arritur të pezullojmë edhe modelin për të manaxhuar me transparencë të gjitha kompanitë dhe i gjithë aksesi i të ardhurave të kompanive, KESH apo OST, do të shkojë për blerje të energjisë.

Sa për rindërtimin, thoni çfarë të doni, njëherë thatë janë 3D, pastaj thatë tek Sami Frashëri do bëhet pallat, pastaj do ju çojnë në Priskë, pastaj në Pezë; historia është që deri në 25 nëntor do hyjnë 700 familje ne pallate, dhe këto janë vetëm ato që po zbaton FSHZH, së bashku me 2000 njësi individuale përfshirë ato me grante rindërtimi. Nuk ka ndodhur asnjëherë. Dhe janë falas për qytetarët. Nëse ia vutë veshin asaj që bëjmë ne në favor të transparencës me qytetarët, dje kaluam një vendim që kur të shpërndahen apartamentet në pallatet e reja dhe njësitë individuale në zonat e reja të urbanizuara, do të jetë për të gjithë me short. Me short, jo siç e bënit ju që merrnin ministrat e deputetët shtëpi si të pastrehë.

Unë do t’ju lutesha, për nderin tuaj, votoni kundër dekretit të Presidentit, se i bie të votoni pro vaksinimit të qytetarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb