TIRANE-Rreth 2700 të rinj nga i gjithë vendi, janë bërë sot pjesë e konkursit për ‘Patrullë e Përgjithshme’ në Policinë e Shtetit, për 150 vende të lira.

Testimi për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë u zhvillua në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Ky është testimi me shkrim që do të zhvillohet gjatë dy ditëve në vijim dhe që i paraprin testimit fizik dhe atij psikologjik.

Ditën e sotme kandidatët u testuan mbi njohuritë e shkollës së mesme, ndërsa pjesët e tjera të konkurrimit janë testimi fizik dhe ai psikologjik. Testimi me shkrim monitorohet me kamera edhe nga një grup i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga SHÇBA, ICITAP e PAMECA.

Në hapjen e konkurrimit, kandidatët i ka përshëndetur edhe Drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema. Gjatë fjalës së tij Mema tha se nga kjo garë jo të gjithë do të dalin fitues.

“Ju jeni të mrekullueshëm të gjithë, sepse me kërkesën tuaj doni të jepni kontributin për sigurinë publike në Shqipëri, dhe kjo është shpresë shumë e madhe, garanci shumë e madhe për jetën tonë shoqërore, për familjet tona. Ju e bëtë këtë me vullnetin tuaj të lirë, që të vini të konkurroni, dhe një farë mënyre jeni të gjithë fitues sepse jeni krenar që keni pranuar të vini të konkurroni për të dhënë kontributin tuaj në sigurinë publike.

Natyrisht sot është një garë, jo të gjithë do të fitojnë, por ju e treguat veten tuaj. Këtu do të zgjidhen nga ju kolegët më të mirë, në një konkurrim që ju do ta shikoni, do të jetë krejt transparent, ku do të testohen njohuritë tuaja që keni marrë në shkollën e mesme, që janë të përgjithshme dhe mbi bazën e atyre, pastaj ju do të vazhdoni me karrierën tuaj në Polici”, tha Mema.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb