Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar Presidentin e ri të Parlamentit Europian,David Maria Sassoli.  Kryparlamentari i Shqiperisë  thotë se zgjedhja e tij në krye të Parlamentit Europian do të jetë një ndihmë e madhe për Shqipërinë në përmbushjen e rrugëtimit europian.

“Me rastin e zgjedhjes Tuaj në detyrën e lartë të Presidentit të Parlamentit Europian, kam kënaqësinë që në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në emrin tim personal t‘Ju uroj suksese në përmbushjen e detyrës Tuaj fisnike.

Shpreh bindjen se, nën lidershipin Tuaj, bashkëpunimi midis Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë do të forcohet më tej dhe Shqipëria do të ketë mbështetjen Tuaj dhe të Parlamentit Europian në rrugëtimin e saj europian, drejt çeljes së negociatave në vjeshtë të këtij viti.”, shkruhet në letrën e urimit të Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Gjjithashtu, Ruçi me rastin e festës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i dërgoi sot një letër urimi Presidentes së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, Nancy Pelosi. Ai thekson mes tjerash se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbesin gjithmonë aleate të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju dërgoj urimet më të mira për begatinë dhe lumturinë e popullit amerikan. Në këtë ditë të shënuar është momenti të vlerësojmë kontributin e pakrahasueshëm dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e mirëqenien, ruajtjen e paqes e të sigurisë dhe mbështetjen e përpjekjeve të kombeve për prosperitet, liri, qytetërim e demokraci në të gjithë globin. Është rasti të kujtojmë se idetë dhe kontributi i Etërve Themelues për prosperitetin dhe demokracinë janë shndërruar sot në një thesar prej të cilit përfiton gjithë njerëzimi. Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, shpreh besimin në fuqizimin e bashkëpunimit tonë të ngushtë me Kongresin edhe në të ardhmen dhe rritjen e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara, partnerit tonë të madh strategjik, për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.”, shkruhet në letrën e urimit të Kryetarit të Kuvendit.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb