Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, reagoi në një deklaratë për media për rritjen e çmimit të karburanteve në vend.

Numri dy i LSI deklaroi se “I ashtu quajturi Bordi Transparencës ose më saktë Bordi i Hajdutërisë Shtetërore, ku qeveria dhe oligarkë bëjnë pazarin e çmimeve në kurriz të shqiptarëve vazhdon”.

Më tej, duke u ndalur te zgjedhja e Presidentit të ri, nënkryetari i LSI shprehet se “Është e qartë për çdo shqiptar që nesër Edi Rama do të votojë së bashku me tufën e karagjozve të depersonalizuar të tij në Parlament, gjymtyrën, dorën që do të firmosë dhe i duhet atij që të firmosë për të shitur detin e shqiptarëve”.

Deklarata e plotë e nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili:

Shqipëria sot si kurrë më parë është mbërthyer në darën e çmimeve kriminale të naftës dhe produkteve të tjera bazë për jetesën e saj. I ashtu quajturi Bordi Transparencës ose më saktë Bordi i Hajdutërisë Shtetërore, ku qeveri dhe oligarkë bëjnë pazarin e çmimeve në kurriz të shqiptarëve vazhdon. Në vend të uljes së çmimit gjë që mund ta bënin fare lehtë pasi LSI ka depozituar prej javësh në Parlament projektligjin për heqjen e taksave për uljen e çmimit të naftës vazhdon ta mbajë të bllokuar atë dhe çdo nisëm tjetër, vetëm e vetëm që të vazhdojë që të mbushen xhepat e qeverisë dhe xhepat e oligarkëve. Qeveria akumulon qindra milionë euro në buxhet, oligarkët fryjnë xhepat e tyre ndërkohë që shqiparët paguajnë 2500 litrin e çmimit të naftës e ndërkohë që Maqedonia fqinje po i njëjti litër nafte kushton 1850 lekë, pra 700 lekë më pak sesa në Shqipëri. Maqedonia, një vend pa porte, një vend pa prodhim nafte por me një qeverisje të përgjegjshme dhe jo një qeverisje mafioze dhe grabitqare.

Është e qartë se kjo qeveri, e cila ka vetëm një objektiv që deri në minutin e fundit që do të qëndrojë në karrige të grabisë çfarë t’i dalë përpara. Të përpiqet të bëjë zhurmë për të tërhequr vëmendjen nga aferat, siç është afera e inceneratorëve, një aferë e hapur me probleme të mëdha, me fakte të mëdha, me fakte të tjera që do vijojnë të bëhen publike nuk ka asnjë qëllim tjetër vetëm që të grabisë qytetarët. Është shumë e qartë për të gjithë, që edhe ashtuquajtura radhë, farsë e turpshme e neveritshmë gjoja për zgjedhjen e presidentit të ri nuk ishte as nuk është asgjë më shumë sesa një zhurmë, zhurmë dhe vetëm zhurmë mediatike për të mos t’u dëgjuar këmbanat e korrupsionit të inceneratorëve, të aferave në energji, të qindra tenderave secret, të koncesioneve që vazhdojnë, të inceneratorëve që vazhdojnë të paguhen qindra miliona euro për pronarët mafioz të tyre që janë në arrati.

Dhe kjo farsë ishte vetëm për këtë qëllim. Është e qartë për çdo shqiptar që nesër Edi Rama do të votojë së bashku me tufën e karagjozve të depersonalizuar të tij në Parlament, gjymtyrën, dorën që do të firmosë dhe i duhet atij që të firmosë për të shitur detin e shqiptarëve. Të gjithë tashmë e dinë shumë mirë, ashtu sikurse është mësuar dhe nga vetë fqinjët tanë në Greqi, mezi pritën që të vijë gjymtyra e Edi Ramës për shitjen e detit sepse është e qartë, që gjithçka ndodhi në këto vite, tendencat, tentativat dhe veprimet njëri më i turpshëm se tjetri për të shkarkuar presidentin Ilir Meta kishin lidhje vetem e vetëm me çështjen e shitjes së kufirit detar. Nesër pra, do të përpiqen dhe do të realizojnë shitjen, ata kanë iluzionin se mund ta shesin pasi është e qartë se rezistenca do të jetë pa as më të voglin kompromis dhe kjo nuk do të ndodhë por është vetëm për këtë qëllim. Natyrshëm, që kësaj farse do t’i përgjigjemi me votë.

Deputetët e LSI do të marrin pjesë nesër në seancë dhe do të votojnë kundër, gjymtyrës, dorës që Edi Rama do të çojë në Kuvendin e Shqipërisë nëpërmjet së cilës mendon dhe ka iluzionin se mund të shesë kufijtë e republikës së Shqipërisë. Ky pazarxhi kufijsh, që i ka filluar pazaret me kufijtë e Kosovës, do t’i vazhdojë me kufijtë e Shqipërisë e së bashku me ‘Ballkanin e Hapur’ të tij është demonstruar si një kryeministër, anti shqiptar, anti patriot dhe nesër do që të shënojë një hap të ri në anti shqiptarizmin mafioz të tij. Ndaj qëndrimi do të jetë i pa kompromis, refuzues, kundërshtues si qëndrim legjitim dhe që është qëndrim që shpreh atë që populli shqiptar kërkon. Shqiptarët kërkojnë një patriot që mbron kufijtë e Shqipërisë ashtu si presidenti aktual ka bërë dhe meriton lavdërimet më të mëdha në këtë drejtim duke mos bërë asnjë hap pas në respektimin e Kushtetutës dhe integritetit territorial të Shqipërisë. Kjo betejë do vazhdojë pa ndalim dhe duhet të shuhet çdo iluzion i këtyre mafioze të çmendur se mund të shesin kufirin e Shqipërisë. As gjymtyra e nesërme dhe asgjë tjetër nuk ju bën derman.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb