Bashkimi Demokratik i Minoritetit etnik grek, OMONIA ka reaguar pas marrëveshjes ndërmjet kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe kreut të PD-së Lulzim Basha duke i kërkuar PBDNJ-së pjesë e bllokut opozitar të ripërcaktojë pozicionin.

Në një deklaratë për mediat, OMONIA e quan “Kontaminim anakronik të panevojshëm, të paarsyeshëm dhe të paargumentuar të platformës politike të Opozitës në Shqipëri duke i kërkuar PBDNJ–së të ripërcaktojë pozicionin politik lidhur me këto zhvillime”.

Referuar bashkimit të PDIU-së në opozitë, OMONIA thekson se Profili politik i PD-së i lidhur me përparimin e procesit të përfshirjes së Shqipërisë në familjen Euroatlantike është cenuar nga adoptimi i axhendës që minon marrëdhënien e qetë me Greqinë fqinje, mbështetës konseguent të zhvillimit real të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

“Shprehim shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet në frontin e Opozitës në Shqipëri nën kryesimin e Partisë Demokratike. Adoptimi në këtë grupim të forcave politike, platformash që cenojnë mbarëvajtjen e praktikave të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, kufizon në fakt rrezikshëm nivelin e manifestimit publik të programeve mirëfilli europianizuese.
Si Minoritet Etnik Grek kemi qenë dhe ngelemi të angazhuar në nxitjen e zhvillimeve politike në drejtimin e kristalizimit të forcave dhe programeve që kanë në epiqendër integrimin e vendit në familjen Euroatlantike dhe imunizimin e shoqërisë nga propozime anakronike nacionaliste, që vetëm se minojnë përpjekjen për kohezion social, prosperitet dhe progres të popullit shqiptar.
E çmojmë si lëvizje të panevojshme dhe të paargumentuar zhvillimin e djeshëm dhe tekstin shoqërues të marrëveshjes së koalicionit reciprok. Logjika e numrave shpie në spekulime jo të shëndetshme për jetën politike. Profili politik i PD-së i lidhur me përparimin e procesit të përfshirjes së Shqipërisë në familjen Euroatlantike është cenuar nga adoptimi i axhendës që minon marrëdhënien e qetë me Greqinë fqinje, mbështetës konseguent të zhvillimit real të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Pas kësaj, si OMONIA i drejtohemi PBDNJ, që pas rikonsiderimit të situatës politike, të ripërcaktojë raportet e saj politike dhe të vijojë të orientojë sipas mundësisë, politikën, në drejtimin e duhur të precipitimit të platformave sterile nga nacionalizimi shterp dhe pa argument”, deklaron OMONIA.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb