TIRANE-Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj kritikon kryeministrin Rama që prej 10 ditësh ka heshtur ndaj grabitjes së Rinasit. Madje, Alibeaj pretendon se Rama u përpoq që të gjente fajtorët dhe përgjegjësit e ngjarjes jashtë vetes, por dështoi nga faktet e bëra publike nga opozita

“Prej 10 ditësh, goditja më e rëndë e sigurisë kombëtare, pushtimi me armë e me maska i aeroportit të vetëm ndërkombëtar, është shoqëruar me heshtjen e plotë të Edi Ramës. Asnjë cicërimë prej tij, edhe pse ngjarja në mesditën e 30 qershorit në Rinas, konfirmoi rënien totale të shtetit, të çdo standardi sigurie në vend.

U përpoq me metoda bizantine të gjente fajtorë e përgjegjës jashtë vetes, por dështoi pasi faktet e bëra publike nga opozita, nga mediat dhe nga zyrtarët e Aeroportit, tregojnë se policia ka qenë vetëm disa metra larg grabitjes dhe nuk ka reaguar.

Drejtori i Kufirit në Ministrinë e Brendshme, e ka konfirmuar vetë se policët kanë qenë fare pranë vendit ku ndodhi grabitja, por sipas tij nuk kanë pasur fushëpamje. Pra në fushën e hapur të pistës së avionëve, policët nuk kanë arritur të dallojnë persona me maska dhe të armatosur që grabisin disa thasë me euro dhe ikin pa u hyrë ferrë në këmbë.

Këto rrethana, kalimi i 10 ditëve pa gjetur asnjë autor, ngjarje të rënda të përsëritura në këtë aks që është një nyje strategjike, dëshmojnë rënien e shtetit, rënien e çdo standardi të sigurisë në këto 3 vite”, shprehet Alibeaj.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: