TIRANE– Partia Demokratike akuzon OSHEE-në se po bën tendera korruptivë për trajnimin e punonjësve të saj. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Oriela Nebiaj, thotë se OSHEE ka mbledhur 720 mln lekë për t’iu dhënë “një miku të qeverisë”, duke vendosur kritere të tilla për tenderin, të cilat paracaktojnë fituesin.

Nga ana tjetër, OSHEE ka reaguar pas akuzave të PD-së duke sqaruar se programi i trajnimit është miratuar edhe në konsultim me Bankën Botërore. Sipas OSHEE-së, këto trajnime kanë si qëllim të krijojnë një kompani efiçente.

Në deklaratën e saj, zëdhënësja e PD-së tha se kjo është hera e parë që OSHEE vendos të shpenzojë kaq shumë para për trajnime.
“Siç e ka bërë traditë Edi Rama me agjencitë e tij, OSHE ka vendosur të mbledhë një shumë të madhe parash, 720 milionë lekë, për t’ia dhënë një miku të qeverisë. Ndiqet praktika e vendosur tashmë nga Edi Rama, me koncesionet dhe tenderat e tij, ku kriteret qepen në mënyrë të atillë, që t’i shkojnë për shtat fituesit të paracaktuar. Është hera e parë që OSHE vendos të shpenzojë kaq shumë para për trajnime. Sipas ekspertëve, organizata e shpërndarjes së energjisë, ka mbledhur të gjithë trajnimet bashkë, për t’ia dhënë me një dorë klientit të Edi Ramës. Këto 720 milionë lekë që dorovit OSHE sipas qejfit e interesave, janë sa vlera e 8 mijë e 728 pensioneve në fshat, sa 4 mijë e 799 pensione në qytet, 10 mijë e 511 pagesa papunësie, dhe 19 mijë e 846 ndihma ekonomike”, deklaron PD.

Sipas saj, OSHE është denoncuar për afera korruptive vazhdimisht, dhe abuzimin e ka tiparin e saj kryesor. “OSHE ka aplikuar që në fillim dy standarde, duke dërguar në burg e duke i nxitur drejt vetëvrasjes familjarë të pamundur për debi deri në 30 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që ka favorizuar klanet afër qeverisë e deputetë me detyrime qindra milionë lekë energji. OSHE është e specializuar në abuzime, pasi vetë drejtuesi i saj, i përzgjedhuri i Edi Ramës në krye të organizatës, është hetuar për abuzime në dhjetëra tendera në Bashkinë e Durrësit. Tenderi i fundit, ose më saktë, porosia e fundit për ti dhënë njeriut të Edi Ramës 720 milionë lekë, është në vazhdën e skandaleve qeveritare me fondet publike, me taksat e qytetarëve”, theksoi Nebiaj.

Më tej Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të hetojë këtë rast sipas saj skandaloz të abuzimit financiar. “Partia Demokratike do të vërë para ligjit e para përgjegjësisë abuzuesit me fondet publike, sapo shqiptarët t’i besojnë drejtimin e vendit”, përfundoi zëdhënësja e PD-së.

OSHEE: PD E DËSHPËRUAR NGHA SUKSESI I REFORMËN NË ENERGJI
Nga ana tjetër OSHEE ka deklaruar se PD kërkon të njollosë gjithçka nga dëshpërimi për reformën në energji.
“Nuk përbën më çudi për askënd fakti se Partia Demokratike, e dëshpëruar nga suksesi i reformës në sektorin energjetik, kërkon të njollosë e përbaltë gjithçka. Është fakt për këdo se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po konsolidon çdo muaj e më tepër kulturën e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Rritja e arkëtimeve dhe ulja e humbjeve kanë krijuar mundësinë për të kryer investimet e munguara prej dhjetëra vitesh në rrjetin e amortizuar e të kalbur anë e mbanë vendit”, deklaron OSHEE.

Sipas saj, Kompania po zgjerohet me degë dhe staf, po shtrin model të ri të Shërbimit ndaj Klientit dhe shumë shpejt do të prezantojë procedurën online të trajtimit të kërkesë/ankesës. ndërsa sqaron se programi i trajnimit është konsultuar me BB.

“Situata problematike e trashëguar në marrëdhënien mes kompanisë dhe qytetarëve e bën edhe më të domosdoshme kthimin e vëmendjes tek cilësia e burimeve njerëzore që përbëjnë një aset të domosdoshëm. Me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, pas një mungesë tre vjeçare, OSHEE ka miratuar në Buxhetin e vitit 2015 programin për trajnimin e 5500 punonjësve saj. Buxheti i kompanisë është konsultuar dhe dakordësuar edhe në konsultim me Bankën Botërore në kuadër të procesit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike. Shifra 72 milion lek është caktuar pas analizës që i është bërë tarifave të tregut të këtij shërbimi, duke ftuar të gjithë aktorët kryesorë”, thuhet në reagimin e OSHEE-së.

Më tek kompania shprehet se “Nuk duhet harruar se në kohën kur Partia Demokratike drejtonte vendin, kompania shpenzoi në vitet 2010-2012, jo pak por 375 milionë lek, pa përmendur këtu miliarda të tjera me konsultat”.
“Siç shihet qartë, janë pesë herë më shumë para të shpenzuara për trajnime në kohën kur qeveriste Partia Demokratike. Trajnime këto, të miratuara nga Enti Rregullator i Energjisë dhe të paguara nga paratë e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi OSHEE.

OSHEE thekson se trajnimet që ka planifikuar synojnë të krijojnë një kompani efiçiente, duke siguruar që eprori dhe punonjësi, në mënyrë të përbashkët të përcaktojnë standardet e performancës dhe objektivat specifike për periudhën e ardhshme të vlerësimit. “Do të realizohen 15 396 trajnime për disa muaj, në trajnim do të marrin pjesë duke filluar nga menaxherët më të lartë, deri tek specialisti i Kujdeset ndaj Klientit. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike shpreh keqardhje për Partinë Demokratike e cila, ndonëse e di se procedura e këtij tenderi do të hapet më datë 20 gusht, pretendon se njeh edhe fituesin. Duke hedhur poshtë këto akuza të qëllimshme e të pabaza, OSHEE garanton opinionin publik se ka ndjekur dhe do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të patur një garë transparente, ndryshe nga sa ndodhte në kohën kur kompaninë e drejtonte forca politike e cila sot akuzon”, nënvizon OSHEE.
(m.k/b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb