TIRANE– Partia Demokratike i është rikthyer ngjarjes së 5 gushtit në Sharrë, ku trupi i pajetë i 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj u gjet i fshehur mes plehrave. Dy muaj më pas, PD i kujton kryebashkiakut Veliaj se nuk i ka dhënë përgjigje pyetjeve mbi mënyrën si operonte firma ricikluese në Sharrë.

Deklaratën e së dielës të kryeministrit Rama, ku u shpreh se Sharra është histori suksesi, PD e quan presion direkt mbi drejtësinë.

Këshilltari i PD në Bashkinë e Tiranës, Fabian Topollaj, në një deklaratë për mediat tha se “Veliaj në këtë aferë Veliaj ka shkelur ligjin e koncensioneve, kur vendosi pa procedurë konkurruese që mbetjet e Tiranes t’i kalonin në pronësi për një shekull një firme private italiane të quajtur ‘AGSM Holding Group’. Ai shkeli ligjin për prokurimin publik kur vendosi t’i jepte një operatori privat, pa procedurë tenderuese, pastrimin e kryeqytetit për 25 vitet e ardhshme”.

PD akuzon kryeministrin se qëndron pas aferave korruptive të kryebashkiakut, sipas tyre.

DEKLARATA E PLOTE

Edi Rama jo vetëm e merr në mbrojtje aferën e parë korruptive dhe kriminale me mafian e mbetjeve, sic është kjo e Erjon Veliajt në landfillin e Sharrës, por e shpall atë si model që do ta ndjekë në vazhdim.

Ndërkohë që nuk e lëshon partnerin e Veliajt në këtë aferë, kryetarin socialist të Peqinit, i shpallur në kërkim pas vdekjes së Arditit, Edi Rama shkon një shkallë më lart në mbrojtje​n e këtij krimi, duke e cilësuar si sukses që duhet ndjekur.

Ky pra është modeli i maxhorances së sotme për trajtimin e plehrave në Shqiperi.

Kujtojme se sot u mbushen 50 ditë ditë që Erion Veliaj nuk i përgjigjet shkresës zyrtare të Prokurorisë dhe grupit të Keshilltareve Bashkiake të PD, për të dhënë informacion mbi mënyren si operonte firma ricikluese në Sharrë. Veliaj fsheh qëllimisht marreveshjen që ka lidhur me një kompani private, marrëveshje që krijoi në mes të Tiranes një ndermarrje skllaveruese, me kapitale publike, ku gjeti dhe vdekjen 17 vjecari Ardit Gjoklaj, dy muaj më parë.

Veliaj po mashtron publikisht dhe po përdor cdo mjet për të mbuluar fajesine e tij direkte në këtë afere korruptive me mafian e plehrave.

Edhe pse cështja është në hetim, tani në krah të Veliajt doli publikisht Edi Rama, i cili me qëndrimet e fundit i bën presion edhe drejtësisë, duke thënë se Sharra e krimit dhe e korrupsionit, Sharra e skllavërimit, dhe e shkeljes së cdo norme ligjore, është histori suksesi, model që duhet ta ndjekin të gjithë, pra kërkoi paprekshmëri, imunitet.

Edi Rama pro mbron kështu Veliajn që është flamurtari i maxhorances për bashkëpunimin me mafian e plehrave, për të bërë biznes me mbetjet. Në këtë aferë Veliaj ka shkelur ligjin e koncensioneve, kur vendosi pa procedurë konkurruese që mbetjet e Tiranes ti kalonin në pronësi për një shekull një firme private italiane te quajtur AGSM Holding Group. Ai shkeli ligjin për prokurimin publik kur vendosi ti jepte një operatori privat, pa procedure tenderuese, pastrimin e Kryeqytetit për 25 vitet e ardhshme. Ai ka shkelur nenin 33/3 të ligjit për pushtetin vendor kur vendosi që po kësaj firme ti akordonte cdo vit plot 5 milionë dollarë nga taksat e qytetarëve të Tiranës.

Të gjitha këto shkelje, të gjithë këfë aferë kriminale e korruptive Edi Rama e ka marrë në mbrojtje dhe e ka shpallur si model. Qytetarët po shohin dhe po kuptojnë se Edi Rama dhe Veliaj thjesht po instalojnë në vend mafian e plehrave. Dhe qytetarët do të dinë të reagojnë e ta ndalin këtë krim mbi jetën e mbi shëndetin e shqiptarëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb