TIRANË-Sipas Partisë Demokratike, dy gazetarë janë pushuar nga puna vetëm se kanë investiguar ndaj kryebashkiakut Erjon Veliaj.
Në një deklaratë të Sekretares së Marrdhënieve me Publikun, znj, Grida Duma, theksohet se ‘Partia Demokratike dënon me forcë ndërhyrjen brutale të Erion Veliajt në media, që solli largimin e dy drejtuesve të lajmeve në televizionin a1 News.Alida Tota dhe Brahim Shima u flakën nga puna, sepse tentuan të hedhin dritë mbi aferën e madhe të korrupsionit e klientelizimit në Sharrë, ku mbeti i vdekur 17 vjecari Ardit Gjoklaj”.

Sipas PD, “Është hera e parë që një zyrtar i lartë hakmerret në këtë mënyrë ndaj medias, jo vetëm duke mbyllur një investigim, duke bllokuar një lajm, por më keq, duke larguar nga puna drejtorin e lajmeve dhe kryeredaktorin”.
Duma u shpreh më tej se, dy gazetarët zbuluan se impianti i korrupsionit i Veliajt ishte i zhytur thellë në informalitet, ku nuk zbatohej asnjë rregull, asnjë normë sigurie, asnjë ligj.
“Erion Veliaj jo vetëm nuk thotë vetë asnjë fjalë për humbjen e jetës së 17 vjecarit që punonte në atë biznes korruptiv e kriminal të ndërtuar prej tij në Sharrë, por hakmerret dhe bën shembull gazetarët që guxojnë të investigojnë”, tha Duma duke shtuar se, ‘Erion Veliaj del kështu hapur në mbrojtje të krimit e të korrupsionit në landfillin e tij’.
“Shkarkimi i gazetarëve me urdhër të Erion Veliajt është një prej goditjeve më të rënda të lirisë së shtypit, tipar i qeverisjes së Edi Ramës e zhytur në krim e korrupsion, që e ka median e lirë armike”.
Lidhur me këtë cështje, Partia Demokratike ftoi sot organizatat e medias të reagojnë për këtë rast.

REAGON GAZETARI

Por, Brahim Shima, gazetar, një prej emrave të përmendur në deklaratën e Partisë Demokratike, të lexuar nga Grida Duma shprehet se, është në punë.
“Zonja Grida Duma doli në një deklaratë për mediat ku përmendet dhe emri im për largimin nga puna. Dua të sqaroj dhe qetësoj miqtë e mi. Unë jam aktualisht në punë”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: