TIRANË- Partia Demokratike i ka bërë thirrje sot Prokurorisë për hetim të thellë e të plotë në lidhje me rrjetin e trafikut të kokainës, ndërsa ka denoncuar sipas saj lidhjet e trafikantëve me deputetë e zyrtarë të lartë të qeverisë. Ka qenë deputeti Alban Zeneli që ka deklaruar se çdo ditë po dalin fakte të reja për këto lidhje të trafikantëve duke përfshirë këtu edhe përdorimin e portit të Durrësit për trafikun.

“Faktet e reja që tregojnë lehtësinë me të cilën është ndërtuar fabrika e kokainës në zemër të Shqipërisë dhe aktiviteti i saj 1-vjeçar pa u shqetësuar nga askush, janë dëshmi tronditëse dhe kriminale të lejimit të narkotrafikut në vend nga Edi Rama dhe qeveria e tij. Rezulton se Porti i Durrësit, është përdorur për të sjellë pajisjet dhe lëndën që i duhej grupit kriminal për të instaluar impiantin më të madh të Kokainës në Ballkan, e për ta prodhuar drogën. Po ashtu, kjo portë është përdorur edhe për ta trafikuar drogën.
Kjo qeveri, ky kryeministër, që mburren se kontrollojnë gjithçka, çdo llambë të secilit fukara në vend, kanë lejuar ardhjen e mjeteve e të materialeve, kanë lejuar ndërtimin e Fabrikës së Kokainës”, tha Zeneli.

Ai shtoi se “është provuar dhe pohuar edhe zyrtarisht, se kjo fabrikë dhe ky grup kriminal do të ishin edhe sot duke prodhuar e trafikuar kokainë, nëse nuk do të ishin ndalur nga policitë partnere”.

“Më e pakta, kemi të bëjmë me një dështim, me një kapitullim të qeverisë në luftën ndaj drogës. Mekanizmi dhe personat e përfshirë në këtë trafik, janë një akuzë që flet për lidhje të trafikantëve me deputetë e zyrtarë të lartë të qeverisë, për të cilat Edi Rama ende nuk po shprehet. Kjo fabrikë kokaine, kishte nevojë për energji elektrike. Si e lidhi energjinë elektrike fabrika e kokainës, kur kjo qeveri, për një tel të dyqanit që kryefamiljari e kishte kaluar në sahatin e familjes, i mori atij jetën, pasi e la në burg për më shumë se dy muaj? Apo kjo ishte fabrika e sponsorëve dhe miqve të deputetëve e zyrtarëve të qeverisë, dhe nuk duhej kontrolluar?”, ka thënë deputeti Zeneli.

Në emër të Partisë Demokratike ai ka kërkuar transparencë për këtë veprimtari kriminale, ndërsa tha se “mbështetja që kanë gjetur anëtarët e grupit kriminal, është po aq kriminale sa droga që ata prodhonin e trafikonin”.

“Si mund të zhvillohej ky aktivitet i ngjeshur kriminal prej një viti, dhe asnjë polic të mos
kishte dijeni, kur sot policia po mbush qelitë e vendit me të pamundur që duan të rregullojnë çatinë ose të vendosin një tullë në murin rrethues të shtëpisë? Apo të gjithë përgjegjësit mbyllën sytë dhe veshët, sepse kjo ishte fabrika e miqve të Partisë? Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të bëjë transparencë. Lehtësia e ngritjes së fabrikës dhe mbështetja që kanë gjetur anëtarët e grupit kriminal, është po aq kriminale sa droga që ata prodhonin e trafikonin”, ka deklaruar deputeti demokrat.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria të nxjerrë në dritë të gjithë mekanizmin e kësaj fabrike dhe të shkojë deri tek “kumbarët” e vërtetë. “Partia Demokratike nxit Prokurorinë të bëjë hetime të thella e të plota, për të nxjerrë në dritë gjithë mekanizmin e madh të kësaj fabrike kokaine, e të shkojë deri tek kumbarët e vërtetë, pavarësisht lidhjeve të forta që mund të kenë ata me qeverinë dhe Edi Ramën”, u shpreh deputeti Zeneli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb