TIRANE-Në një deklaratë për mediat gjatë kësaj të diele, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj publikoi ato që i quajti fakte të reja mbi mënyrën sesi i ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit, Klement Balili, kishte ngritur industrinë e tij të trafikimit të drogës.

“Në fillim ai kapi Transportet, pasi Edi Rama e emëroi drejtor Rajonal për Sarandën. Pastaj futi nën kontroll pikat kufitare, duke caktuar – përmes Tahirit, – si shef të Kufirit për komisariatin e Sarandës, Asim Canajn, të cilin Balili e kishte për 10 vite drejtues në biznesin e tij, në policinë private”, deklaroi Alibeaj.

Ndërkohë, në momentin kur aksioni ndërkombëtar i policisë greke, asaj belge dhe DEA-s amerikane përfshiu edhe Balilin, i cili arriti të arratisej “falë bashkëpunimit të suksesshëm të Tahirit” siç thotë Alibeaj, shefi i komisariatit të Sarandës u pezullua për “neglizhencën e vogël” e në krye të policisë atje u komandua Asim Canaj, i punësuari nga Balili.

Alibeaj akuzon se gjatë këtyre ditëve në krye të Policisë së Sarandës, njeriu i Balilit shërbeu për të kopsitur letrat, për të rregulluar punët, apo për të fshirë gjurmët. Këtë gjë, kreu i Rendit dhe Sigurisë në PD e quajti inkriminim dhe kapje të shtetit nga krimi.

“Saimir Tahiri del edhe njëherë i përfshirë drejtpërdrejt në krim, në trafik droge. Çdo ditë e tij në detyrë është një ditë më shumë në pushtet për krimin, drogën, trafikantët”, deklaroi Alibeaj.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: