TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për një tjetër aferë pas denoncimit nga ish-kryeministri Sali Berisha një natë më parë. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se Tahiri ka shpëtuar Durim Bamin që qarkullonte me armë pa leje.

“Saimir Tahiri është kapur në një tjetër aferë kriminale. Duke ofruar shërbimin e tij, ka garantuar paprekshmëri për Durim Bamin, i cili u denoncua nga qytetarët pasi me 21 maj, në orën 17.00, ky i fundit ishte në një lokal në qendër të Niklës, i pajisur me armë pa leje e me veshje antiplumb, edhe pse gjendet nën masën e sigurisë arrest shtëpie dhe e ka të ndaluar me vendim gjykate të dale nga banesa”, tha Alibeaj.

Sipas tij, Durim Bamit i janë ofruar lehtësi, pasi një person tjetër ka marrë përgjegjësinë.
“Dhe është pikërisht policia e Tahirit që duhet të garantojë zbatimin e këtij vendimi gjykate. Me ndihmën e shefit të komisariatit, Erjon Ismaili, pjesë e grupit të besuar Shullazi-Tahiri, Bamit i janë ofruar lehtësi. Një nga ushtarët e tij është paraqitur dhe është lejuar ta marrë përsiper ai, përgjegjësinë per armët dhe pajisjet e tjera të paligjshme. Kështu Bami i shpëtoi procedimit, me një ndërhyrje të kontrolluar nga fillimi deri në fund prej Saimir Tahirit”, theksoi Alibeaj.

Më tej ai tha se ‘i akuzuari si vrasës me pagesë nga vetë radhët e mazhorancës, i dyshuari për vepra të rënda penale, është një njohje e vjetër e Saimir Tahirit’.

“Saimir Tahiri ka ndërmjetësuar e ka kuvenduar me të privatisht në zyrën e Ministrit të Brendshëm, në plazhe e rezidenca qeveritare. Bami mbajti qendrimin e duhur në kohën kur u akuzua se ishte pajtuar nga Meta për të vrarë dy deputetë, qendrim që solli mbylljen e çështjes dhe ndihmoi Ramën për të kapërcyer krizën e madhe politike, ndaj sot shpërblehet nga Saimir Tahiri me paprekshmëri e me leje për të qarkulluar i armatosur. Kjo është një tjetër dëshmi e lidhjes së Saimir Tahirit me krimin. Dëshmi e marrëdhënies së ngushtë që ai ka me banditë, trafikantë e vrasës”, përfundoi Alibeaj.

(m.k/BalkanWeb)​

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: