NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE- Partia Demokratike ankimon gjobën që Bashkia e Tiranës i vendosi në 8 dhjetor për dëmet e shkaktuara nga pasojat e protestës. Sipas burimeve nga Partia Demokratike gjoba është ankimuar në Komisionin e Këshillit Administrativ të Bashkisë. Eksponentët e kësaj partie kanë mbrojtur para këtij këshilli pavlefshmërinë e kësaj gjobe duke e cilësuar atë të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me rregulloret e Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak.

Gjoba e vendosur nga bashkia e Tiranës ndaj PD-së kap shifrën e 16.3 milionë lekëve.

Ndërsa pas mbajtjes së këtij ballafaqimi, Bashkia e Tiranës ka për detyrim ligjor t’i kthejë Partisë Demokratike përgjigje brenda 30 ditëve.

Nëse nuk do të ketë anulim të gjobës sipas burimeve brenda opozitës, kjo masë administrative do të shkojë për shqyrtim në gjykatë. Dhe do të jetë pikërisht Gjykata Administrative që do të shqyrtojë këtë çështje, për ‘i dhënë ose jo të drejtë njërës palë apo tjetrës.

Nëse Gjykata i jep të drejtë Bashkisë, Partisë Demokratike do t’i bllokohen llogaritë bankare për të vjelë shumën e gjobës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: