TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar sot kryeministrit Edi Rama se po thellon inkriminimin duke i dhënë një tender vëllait të deputetit të PS-së, Armando Prenga.

Sipas Drejtorit të Departamentit për Sigurinë në PD, Bashkim Shehu, tashmë Rama përveç inkriminimit të institucioneve dhe parlamentit po bën biznes me lidhjet e tij kriminale.

“Ndërsa dekriminalizimi është kthyer në nevojë jetike dhe në urgjencë kombëtare, Edi Rama, autori i inkriminimit masiv të institucioneve e parlamentit, jo vetëm nuk po reflekton, por po bën të kundërtën, po bën edhe biznes me lidhjet e tij kriminale.

Dhënia e lagunës së Patokut, një prej pasurive kombëtare, vëllait të deputetit Armando Prenga, është padyshim thellimi i inkriminimit. Me një tender të dyshimtë, në shkelje të të gjithë kritereve teknike, vëllai i deputetit të Edi Ramës, ka arritur të fusë në dorë këtë aset të çmuar edhe pse ka një kompani të ngritur enkas, prej 2 muajsh”, tha Shehu.

Ai ka bërë publike edhe dokumentet që sipas tij tregojnë se kompania u krijuar dy muaj më parë dhe është shpallur fituese. Shehu tha se deputeti socialist Armando Prenga po i forcon lidhjet me Ramën përmes këtij biznesi korruptim.

“Kemi këtu dokumentet që tregojnë se kompania e vëllait të deputetit Prenga ka dalë fituese, ndonëse është krijuar vetëm dy muaj më parë. Kështu, Armando Prenga për të cilin ka informacione për aktivitet kriminal në Itali dhe vende të tjera të Europës, me identitet të ndryshuar për shkak të problemeve me drejtësinë, po i forcon lidhjet me Edi Ramën përmes biznesit korruptiv dhe në kurriz dhe dhjetëra peshkatarëve që mbanin familjet e tyre deri më sot me këtë aktivitet në Lagunën e Patokut. Ky është një rast i pastër i gërshetimit të lidhjeve kriminale me korrupsion e biznes qeveritar”, tha ai.

Shehu theksoi se “Kjo është skema e inkriminimit në veprim dhe këtë po bën Edi Rama, me ndarje favoresh të majme me të inkriminuarit që ka futur në administratë, në zyra, në partinë e tij e deri në parlament”. “Partia Demokratike paralajmëron Edi Ramën dhe ortakët e tij se nuk do ta njohë këtë kontratë korruptive dhe do ta anulojë atë në momentin më të parë kur të marrim përgjegjësitë për vendin”, përfundoi ai.
MB: AKUZAT POLITIKE, PROCESI I HAPUR DHE SIPAS LIGJIT
Ministria e Bujqësisë i cilëson politike akuzat e Partisë Demokratike për Lagunën e Patokut. Në një deklaratë për mediat MB bën me dije se procesi i dhënies në administrim i kësaj lagune është bërë me konkurrim të hapur. Ministria e Bujqësisë thekson se procesi ka qenë i hapur dhe sipas ligjit.

(m.k/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: