TIRANE – Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama dhe Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj se po kërkojnë të sanksionojnë me ligj biznesin kriminal me barnat. Në një deklaratë për mediat, deputetit Roland Keta tha se “qeveria, Edi Rama dhe Ilir Beqaj, po kërkojnë të heqin pikërisht atë nen të ligjit që shërben si garanci për ilaçet që hyjnë në vendin tonë. Duke i hapur rrugët e importit për skarcitete, vetëm e vetëm që biznesi i miqve dhe klientelës Rama-Beqaj të lulëzojë, pa marrë në konsideratë shëndetin e qytetarëve.”

“Ligji aktual nuk lejon futjen e një medikamenti që nuk ka qarkulluar të paktën dy vjet në vendet e Bashkimit Europian. Kjo garanci për pacientët shqiptarë, është pengesë për biznesin e Ramës dhe Beqes, ndaj ata po kërkojnë ta heqin, duke vënë në rrezik shëndetin, sigurinë e barit, cilësinë e tij.”- deklaroi Keta.

Sipas deputetit Keta, “Ilir Beqaj do të mbahet mend si ministri që i hapi portat ilaçeve të dyshimta e të skaduara duke vënë në rrezik jetën e pacientëve, por duke ndërtuar gjithashtu një biznes me fitime marramendëse për miqtë e tij e të Edi Ramës. Një vit më parë, me bekimin e Edi Ramës, Ili Beqaj futi duart në sigurinë e medikamenteve, për ti hapur rrugën klientelës qeveritare, përmes modifikimit që i bëri tenderit me urdhërin e tij.

Pas kësaj ne pamë se në spitalet tona plasën skandalet e barnave me origjinë të dyshimtë, që paguheshin shtrenjtë nga qytetarët dhe nuk ishin efektivë”.

“Partia Demokratike e dënon fuqimisht këtë përpjekje kriminale të Ramës dhe Beqës, dhe fton qytetarët të reagojnë të mbrojnë shëndetin e tyre. Të mos lejojnë këmbimin e shëndetit me biznesin e ilaçeve të Ramës dhe Beqës. Deri më sot, Ilir Beqaj dhe Edi Rama kanë nxjerrë nga arka e shtetit 35 miliardë lekë gjoja për shëndetësinë falas. Ku kanë shkuar këto para? Shëndetësia është në ditën më të keqe. Në spitale mungojnë gjërat më bazike.

Paratë janë në xhepat e qeveritarëve dhe miqve të tyre. Dhe qytetarët paguajnë vetë çdo gjë e shumë shtrenjtë. Prokuroria duhet të hetojë këtë sipërmarrje kriminale në kurriz të qytetarëve dhe shëndetit publik.”- përfundon deklarata e deputetit demokrat.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: