TIRANE- Deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi sot se “përballë gjendjes së rënduar ekonomike qeveria ka zgjedhur rrugën më të lehtë, propagandën ministrore për t’i mbushur mendjen shqiptarëve që po jetojnë në pranverën ekonomike”.

Sipas saj, shifrat dhe të dhënat, flasin krejt të kundërtën. “Qendra Kombëtare e Biznesit tregon për rritje të bizneseve të çrregjistruara për këtë 5 mujor me 25 përqind, krahasimisht me një vit më parë. Ndërkohë që, papunësia është rritur në nivelin e 17.7%, të rinjtë e vendit preferojnë të largohen nga Shqipëria që po plaket përditë e më shumë, falë politikave të suksesshme të qeverisë rilindase. Përballë fodullëkut rilindas të dhënat nga Instituti i Statistikave raportojnë për një rënie të konsumit gjatë gjithë vitit 2015 (paraqitur në grafik) për herë të parë kjo që nga viti 1998. Ndërsa të dhënat e përpunuara nga Komisioni Europian, tregojnë se jemi të parafundit në rajon me rënie prej -0.2% në 2015 në krahasim me vitin 2014. Shqiptarët kanë konsumuar 0.17% më pak se sa viti 2014 gjatë vitit të shkuar dhe aktualisht vendi është në buzë të greminës të deflacionit, kurse qeveria propagandon se kemi dalë nga kriza. Ministri e quan pozitive rënien me 6% të eksporteve për të katër muajt e 2016 që në vlerë monetare përkthehen në 6.2 mld lekë më pak të ardhura. Ndonëse e pranon me gjysmë zëri, se efekti i vërtetë i rritjes së importeve ka ardhur si pasojë e investimit të fundit serioz në vend që është TAP. Një investim që është përgjigja më e mirë për dështimin e plotë që kjo qeveri ka në raport me investimet e huaja të cilat vjet ishin 5.7% më pak se sa viti 2013”.

Më tej, Tabaku shtoi se “Banka e Shqipërisë raporton që ndonëse bankat e nivelit të dytë kanë çuar normën e interesit në 6%, më e ulëta në histori, kredia vazhdon rrugën e saj të tatëpjetës. Banka e Shqipërisë në raportin e saj tregon se huaja ka rënë me -1.6% në krahasim me një vit më parë. Megjithëse qeveria pretendon se Shqipëria ka dalë nga kriza, për herë të parë në 15 vite paga reale shënoi zbritjen më poshtë se sa norma e inflacionit duke rënë me -0.1%. Për të mos folur më pas për skemën abuzive dhe çalamane të pensioneve, që e ka kthyer moshën e tretë në shtresën më në nevojë të shoqërisë. Punëtorë të keqpaguar, pensionistë më të varfëruar dhe një skemë sociale që përfundon në xhepat e ministrave apo kryetarëve të bashkisë. Kjo është Pranvera e Rilindjes që qeveria aq shumë propagandon. Ndërkohë që ashtu siç pritej, Ahmetaj heshti dhe nuk tha asgjë kur u pyet nëse do të ketë rritje pagash e pensionesh! Rilindja që u rriti taksat e shqiptarëve me 45.5 mld leke, e mbasi ka tre vite që thotë nuk ka krizë e nuk jemi në krizë, dje na tha që pranvera e la pas krizën. Duke dëshmuar edhe një herë se kush është qëllimi i vërtetë i një bande që ka zaptuar dhe po shteron të gjitha mundësitë ekonomike dhe financiare të këtij vendi për të ecur përpara”.

Tabaku theksoi se: “Duke fshehur të vërtetën megjithëse edhe vetë drejtuesit e FMN për të disatën herë brenda tre viteve u shprehën dhe dje në krah të ministrit se; Citoj; “Nje nga pengesat kryesore për më shumë optimizëm dhe zgjerim në sektorin privat janë Tatimet. Mënyra se si Tatimet komunikojnë me sektorin privat ndjehet nga biznesi si ndëshkuese dhe jo koherente. Biznesi thotë se administrata tatimore bën represion. Kjo pengon biznesin vendas të zgjerohet dhe investimet e huaja që të vijnë”.

Tashmë është e qartë se për cilën pranverë flet ministri dhe qeveria rilindjes, përballë acarit në të cilin jeton ekonomia shqiptare gjendet luksi që i mundëson këtyre qeveritarëve që nga zyrat luksoze të propagandojnë arritjet imagjinare në kurriz të një ekonomie që e kanë rrënuar. Partia Demokratike, përballë kësaj fature e bilanci të hidhur është zotuar se do të rikthejë në shina një ekonomi të shkatërruar. Përmes lehtësimit fiskal, shpenzimeve në shërbim të biznesit dhe rritjes së konsumit ne do t’i sigurojmë shqiptarëve punësim, paga më të larta, një ekonomi më të shëndoshë dhe një të ardhme më të mirë. Ne jemi të bindur që taksa 9% më e ulëta në Ballkan si dhe një qeveri që ndërhyn gjithnjë e më pak në jetën e bizneseve do t’i rikthejnë vendit konkurueshmërinë ndërkombëtare, do të nxisin investimet e huaja dhe do të rrisin punësimin e mirëqënien!
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: