* Topalli: Nuk do ketë më parlament me kriminelë
* Deputetët e PD pankarta në duar: Jashtë kriminelët!
* Deputeti Prenga vjen e ikën në parlament
* Qëllohet me vezë në drejtim të kryeministrit 

TIRANE- Seanca e sotme parlamentare ka qene teper e tensionuar, pasi opozita bllokoi foltoren dhe qëlloi me vezë në drejtim të karriges së kryeministrit Rama.

Partia Demokratike shprehet e vendosur për të bllokuar seancat parlamentare duke filluar nga sot, nëse Kuvendi nuk voton ligjin për dekriminalizmin. PD i ka vendosur disa kushte Kuvendit, në mënyrë që sipas tyre të ketë një funksionim normal të jetës në vend, në të kundërt nuk do të lejohet nga ata zhvillimi i seancave.

Në nisje të seancës së sotme parlamentare, deputeti demokrat Edi Paloka i ka kërkuar deputetëve të Kuvendit që të votohet ligji për dekriminalizimin me ndryshimet e kërkuara që deputetë dhe funksionarë të mos jenë në parlament kur janë të arrestuar në flagrancë për krime, vrasje.
Nuk munguan as perplasjet mes deputeteve dhe gardes qe kishte rrethuar foltoren. Deputetet qendruan disa minuta duke bllokuar foltoren, ndersa prezent i ulur tek podiumi i qeverise, ishte dhe kryeministri Edi Rama. Ne keto kushte Valentina Leskaj, e cila drejtonte seancen vendosi te mbylle seancen.

QËLLOHET ME VEZË NË DREJTIM TË KRYEMINISTRIT
Pavarësisht kontrollit të imtësishëm në hyrje të Kuvendit, deputetët e PD-së kanë mundur të fusin vezë në seancën plenare dhe kanë qëlluar në drejtim të kryeministrit Rama. Gazetarët tanë njoftojnë se vezët nuk e kanë prekur kryeministrin, por kanë rënë mbi ministren Ermonela Felaj.

kriminelet

Fjala në Kuvend e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka
Të premten e 4 shtatorit të vitit të kaluar, ne kemi qenë këtu të gjithë. Kemi qënë në Tiranë, në Shqipëri. Mos bëni sikur keni kujtesë të dobët. Ishte kulmi i debatit për dekriminalizimin, për pastrimin e politikës nga të inkriminuarit që ti Edi Rama përzgjodhe me dorën tënde dhe i solle në këtë sallë, i solle me shumicë, dhe pikërisht në këtë kohë deputeti yt Armand Prenga, përgjaku oborrin e komisariatit të Policisë, duke qëlluar me armë pa leje disa qytetarë, anëtarë të familjes Cali.

Në komisariat të policisë, në institucionin ku viktimat kishin shkuar për të kërkuar mbrojtje e siguri. Mbarë opinioni publik u trondit, Europa dhe mbarë bota u tronditën.

Ishte ky deputet që ti e kishe përzgjedhur pikërisht për bëmat e tij, e more se të duhej për të dhunuar votën në zgjedhjet e vitit 2013, dhe më pas e sule edhe kundër deputetëve të opozitës, kundër fjalës së lirë.

E sule këtu në sallë, e sule në komisione të ushtronte dhunë me grushta e me kaish, me kanosje dhe kërcënime kundër deputetëve të opozitës në detyrë. Ky ishte skenari yt z.Rama dhe ti i qëndroje mbi kokë deri në zbatimin e tij të plotë.

E shpërbleve me Lagunën e Patokut dhe kur ai përgjaku komisariatin me armën e tij pa leje, për 10 orë urdhërove heshtjen në përpjekje për ta shpëtuar deputetin tënd, mercenarin tënd. Kur nuk kishe nga t’ia mbaje u detyrove të pranosh arrestimin dhe procedimin e tij. Por jo me gjithë mend. Shpike gëzhojën e vjetër që u gjet pas dy muajsh për të ndërtuar alibinë e Prengës tënd.

Ti Edi Rama me presion ndaj gjykatës e lirove në arrest shtëpie. Prenga agresori në shtëpi dhe Calët në burg. Perversitet, përdhunim i drejtësisë. Ti e bëre. Dhe javën e kaluar, kur mandati i tij vihej në pikëpyetje për shkak të mungesës në Kuvend ti përsëri i dhe një dorë mercenarit tënd duke e nxjerrë edhe nga arresti shtëpiak.

Do të mjaftonin precedentët e tij, do të mjaftonte kërkesa e qytetarëve të mbarë vendit të ngritur në protesta, do të mjaftonte mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarëve për pastrimin e politikës nga krimi, që ti t’i jepje duart këtij deputeti.

Nuk e bëre kurrë. A mund ta përfytyronte ndokush, që pas asaj përgjakje, i përzgjedhuri yt do të vinte sërish në Kuvend? Askush s’mund ta përfytyronte.

Po kur është puna për keq, për mbrapshtira dhe djallëzira, ti ia del të bësh të pamundurën. Na befason gjithnjë. Ja ku jemi pas 6 muajsh. Ti e risolle në Kuvend Armando Prengën, që është nën akuzë për plagosje me armë zjarri e për armëmbajtje pa leje.

Dhe ti bën sikur ska ndodhur asgjë. Dhe ti bën sikur kjo është normale. Si ka mundësi që ky akt skandalizon të madh e të vogël, demokratë e socialistë, shqiptarë e të huaj. Ndërsa për ty prapë nuk është problem.

Unë e di, ne e dimë që ti je në ethet e kongresit, dhe këtë soj, këta njerëz të hurit e të litarit ti i ke thirrur nën armë. Paranoja jote, të bën të mendosh se deputeti-bandit që gjakos me pistoletë në mes të komisariatit, duke lënë disa të plagosur, është ok, është më i vlefshëm është më i dëshirueshëm se një socialist i thjeshtë.

Ti e di se je më i izoluar, më i pabesueshëm, më i braktisur se kurrë. Ankthi yt, kriza që ke, sepse e di që nuk të besojnë më as socialistët, e jo më qytetarët, të bën të thërrasësh sërish nën shërbim kriminelët, banditët, trafikantët. Siç ke bërë nga veriu në jug.

Me bushët, roshët, me ndokën, cubin, me Bardhin që e le të lirë se gërhiste shumë, dhe ti je i ndjeshëm ndaj kësaj meoldie, dhe tani së fundmi dhe me deputetin tënd Prenga.

Kjo është një ditë vendimtare për Parlamentin. Nëse ti, nëse ju, nuk konsideroni më asnjë vlerë, asnjë standard; Nëse qytetarët nuk ekzistojnë më për ju; Nëse për ju vlejnë vetëm paratë, pasuritë, tenderat e koncesionet; Vazhdoni në këtë kurs, qëndroni në këtë bunker të zhytur në llucën e krimit e vjedhjes. Ne skemi ndërmend ta bëjmë asnjë minutë. Nuk i tradhtojmë ne sot qytetarët e vendit, të djathtë e të majtë, demokratë e socialistë, e të paparti. Ne kemi ngritur një kauzë të madhe, bashkë me ta, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, dekriminalizimin e politikës.

Ndërkohë që duhet me shpejtësi ta vëmë atë në punë, ti na sjell këtu Armando Prengën. Ndërkohë që duhet të ndalojmë krimin, ta largojmë nga politika me aktet nënligjore, e ta vëmë në funksion të plotë dekriminalizimin, ti na sjell këtu plagosjen, gjakderdhjen, armën pa leje. Dhe bën sikur gjithçka është normale.

Jo Edi Rama. Makuti e babëzia mund të ketë zvenitur tek ti çdo formë të vlerave minimale njerëzore. Por mos mendo se kjo ka ndodhur me të gjithë ne. Ky parlament nuk funksionon. Mbyllet sot. Mbyllet këtu. Ose vendosim të ecim pa krimin, ose nuk ka më asnjë seancë. Me krimin vazhdo ti, ti që e ke kthyer partinë laborator të trafikantëve. Ne dhe qytetarët nuk të vijmë pas.

Kalojmë sot, kalo tani propozimin tonë që pezullon të zgjedhur e funksionarë të arrestuar në kushte flagrance plagosje apo vrasje me dashje. Kalojmë sot vendimin e Kuvendit për zbatimin e dekriminalizimit.

Kalojmë sot, kalojmë tani kërkesën Gjykatës Kushtetuese për mbarimin e mandatit të deputetëve që janë kapur në shkelje të Kushtetutës duke marrë miliona euro dhe hekurudhën për vete dhe për fëmijët, Koco Kokëdhima, Rakip Suli e Valentina Leskaj. Ose ndryshe parlament nuk ka më.

Me krimin, me korrupsionin, me shkeljen e Kushtetutës për xhepat e Kokëdhimës, Rakip Sulit e Vali Leskajt, me këto akte të rënda ulur në këto karrige, parlament nuk ka. Ti ke thjesht kartonat, por kartonat s’janë parlamenti.

Parlamenti është themeli i standarteve, i vlerave që duhet të ketë një vend, që duhet të prijë një vend. Kushtet që shpalosim sot, nuk janë një tekë. Janë rruga drejt normalitetit. Janë kthimi i normalitetit në vend. Eshtë marrëveshja politike e 24 dhjetorit të vitit 2014 që votuam me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian.

Të ndalim dhunimin e kësaj marrëveshje, dhe kjo kërkon; Miratimin e amendamentit në ligjin e dekriminalizimit që largon nga ky Kuvend deri në gjykimin final Armando Prengën; Miratimin e vendimit që fut në zbatim ligjin për dekriminalizimin; Dërgimin nga ky Kuvend në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për heqjen e mandatit të deputetit për Koço Kokëdhimën, Valentina Leskajn dhe Rakip Sulin, të cilët në dhunim të Kushtetutës kanë konsumuar paratë e publikut shqiptar, dhe pasurinë publike ndërkohë që janë vetë deputetë; Heqjen e pengesës të komisioneve hetimore parlamentare ndalimin e zhvlerësimit të tyre, duke hequr instrumentin e kuorumit që e ke përdorur deri më sot vetëm për bllokim.

Pa këto, pa realizimin e këtyre kushteve ky institucion dhe kjo foltore nuk do të funksionojnë. Kjo aulë është e sovranit, jo e krimit. Kjo aulë është e popullit, jo e hajdutëve. Nga kjo aulë pritet drejtësi, dhe jo e kundërta. Pa drejtësi këtu, dhe sot, asnjë hap më tej nuk ka. Ky është shansi i fundit për këtë parlament që të funksionojë. Vlerësoje mirë këtë çast. Ke në dorë të paktën njëherë në jetën tënde të marësh vendimin e duhur, vendimin e drejtë.

Pas kësaj, fjalën e kanë qytetarët shqiptarë, ata që ti i quan dele dhe budallenj sepse nuk të besojnë ty, sepse të përbuzin ty, sepse të urrejnë ty dhe skotën tënde të hajdutëve që u vjedh kafshatën e fëmijëve nga goja e i detyron të ikin nga sytë këmbët ndërkohë që vetë kridheni në luks e pasuri të shfrenuara.

Atyre ju takon fjala dhe vepra nëse ti refuzon të marrësh hapat që ti përcakton Kushtetuta, ligji dhe marëveshja politike. Zgjedhja tani është e jotja. A do të shkosh prapë kundër qytetarëve, kundër ligjit, kundër kushtetutës, kundër Europës? Për krimin, me krimin e prej krimit.

Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë. Dhe jemi sot këtu për të të thënë se zgjedhja jonë është ligji, është drejtësia e pakapur nga ty është parlamenti pa kriminelë, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zgjedhja jonë janë qytetarët. Ata që nuk kanë pse të presin më asnjë minutë të vetme për ta zhbërë nga themelet regjimin tënd kleptokrat dhe kriminal që po ju merr bukën, shpresën, shpirtin. Dhe ata do të marrin në dorë fatet e këtij Kuvendi dhe çdo institucioni. Do ta çlirojnë këtë aulë dhe demokracinë në çdo cep nga krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i veshur me krim.

TOPALLI: KENI FRIKË NDAJ NUK RESPEKTONI RREGULLOREN
Pas kaosit që është krijuar në parlament pasi deputetët e opozitës nuk kanë pranuar që të vijojë seanca normale, ka marrë fjalën për procedurë deputetja e PD-së, Jozefina Topalli. Duke iu drejtuar nënkryetares së parlamentit që drejtonte seancën, Topalli tha se maxhoranca tregon se ka frikë që nuk respekton rregulloren për të futur në rend të ditës propozimin e PD-së.

“Zonjë, sot nuk ka seancë plenare. Zonjë ju vetëm tregoni sa frikë keni kur nuk pranoni të respektoni as rregulloren për të futur në rend të ditës propozimin e PD që sot e kurrë më në këtë parlament të mos futen më kriminelë. Zonjë lexo nenin e rregullores. Mos u nervozoni ju, se duhet të nervozohen qytetarët shqiptarë kur ju keni marrë koncesionin e gjithë hekurudhave. Përdorni mandatin tuaj për t’u pasuruar”, ka thënë Topalli, duke shtuar se në vend të Ramës duhet të jetë Armando Prenga dhe se Leskaj nuk duhet të jetë në atë detyrë pasi ka konflikt interesi.

“Mos u bëj me nerva zoti Rama. Do ishte më mirë të ishin Armandot në vendin e kryeministrit. Parlament me krim brenda nuk ka më. E mira është që ti të ikësh nga ai vend se je në konflikt interesi dhe në vend të kryeministrit të vijë Armandoja”, tha Topalli.

Ndërkohë deputetët e opozitës kanë vijuar të qëndrojnë në këmbë. Ata kanë rrethuar foltoren, duke mbajtur në duar fletë me shkrimin “Jashtë kriminelët”. Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ka kërkuar pushim, në mënyrë që më pas parlamenti t’i kthehet normalitetit.

“Sigurisht që është në të drejtën e opozitës. (opozita i bie tavolinave) Bjeri më fort, kujdes mos të vrasësh dorën. Krijoni mundësitë për t’u shprehur qoftë me votë…Pushim për t’ju rikthyer seancës normale”, tha Ruçi dhe më pas Leskaj ka vendosur 5 minuta pushim.

opozita

​(el.sp/m.k/d.b/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb