TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar për deklaratat e kryeministrit Edi Rama në lidhje me sekuestron mbi aksionet e kompanive të Francesco Becchettit. Boçi tha se Kryeministri sulmon pronarin e Agon Channel për burim kriminal të ardhurash, ndërkohë që Ajola Xoxa është avokate e Becchettit në këtë çështje. Por, sipas tij Rama ofron imunitet dhe ligji nuk vepron ndaj zonjës Veliaj

“Sipas Edi Ramës, Ajola Xoxa, bashkëshortja e kandidatit të tij për Tiranën, është e përfshirë në para të pista. Kështu i quan Edi Rama paratë e pronarit të Agon Channel, ku Ajola Xoxa është e lidhur drejtpërdrejt si përfaqësuese ligjore e z.Becchetti. Është bërë publike sot, se zonja Veliaj ka përfaqësuar në disa gjyqe pronarin e Agon Channel, pikërisht për çështjen financiare për të cilën është akuzuar klienti i saj. Ndërkohë që, dy ditë më parë, kur sapo nisi procesi për këtë rast, Edi Rama shpalli verdiktin e tij. Si prokuror madje si gjyqtar suprem, ai tha: “Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel një sukses!”. Ajola Xoxa ndërkohë është në mes të gjithë kësaj histore transaksionesh si avokate e Becchettit. Nëse paratë e pronarit të Agon janë të pista, me burim kriminal, si ka mundësi që zonja Veliaj është e përfshirë?”, tha deputeti i PD-së.

Ai tha se në bazë të ligjit duhet të kishte edhe një procedim penal për Ajola Xoxën pasi si avokate duhet të raportonte për transaksionet e dyshimta. “Si ka mundësi që ndaj saj nuk ka sot një procedim penal, sepse ekziston, është në fuqi një ligj që e detyron avokatin të raportojë pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave kur ka lëvizje të dyshimta parash, që e kalojnë shumën e 1 milionë lekëve të vjetra. Ligji nr 9917, i vitit 2008, e detyron Ajola Xoxën të raportojë. Neni 3 thotë se subjektet e këtij ligji janë, avokatët, noterët, përfaqësuesit ligjorë, ekspertët kontabël, etj. Zonja Veliaj, sipas dokumenteve të bëra publike sot është pikërisht avokate e z.Becchetti. Si është e mundur që ky ligj i Republikës së Shqipërisë nuk vepron dot ndaj bashkëshortes së Erion Veliajt? Pse ka imunitet ajo, çfarë e mbron atë, pse nuk është e barabartë para ligjit? Pse nuk vepron ky ligj ndaj Ajola Xoxës edhe në rastin e Dzanashvillit, bosit të mafies së Ballkanit e më gjerë, avokate e të cilit është bashkëshortja e Veliajt. Dhe a ka ndonjë shpjegim, që sa herë flitet për para të pista, e pastrim parash me burim kriminal, del emri i Ajola Xoxës si avokate?”, theksoi Boçi.

Në përfundim ai akuzon kryeministrin Rama se po mbron zonjën Xoxa nga përballja me ligjin.

“A kanë marrë formën e posterave, spoteve, zyrave elektorale, formën e fushatës së luksit të Erion Veliajt, paratë e pista ku është përfshirë bashkëshortja e tij. Edhe sa do të vazhdojë Edi Rama ta mbrojë zonjën Xoxa nga përballja me ligjin. Edhe sa skandale të tjera duhet të ndodhin që Erion Veliaj të flasë, të bëjë transparencë”, u shpreh ai.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: