TIRANË- Partia Demokratike ka përshëndetur sot reagimin e Ambasadës së SHBA-ve për kërcënimet dhe presionin ndaj mediave dhe gazetarëve. Deputeti Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi tha se ky reagim vjen pas skandalit të kandidatit të ASHE-së në Elbasan. Ai e ka quajtur Qazim Sejdinin, arrogant i medias dhe fjalës së lirë. Boçi madje i ka kërkuar kryeministrit Rama ta tërheqë Sejdinin nga gara për kryetar të bashkisë së Elbasanit.

“Partia Demokratike përshëndet reagimin e Ambasadës Amerikane, në krah të lirisë së medias, dhe që dënon kërcënimet. Reagimi i ambasadës amerikane vjen menjëherë pas skandalit të kandidatit të Edi Ramës për Elbasanin, i cili shantazhon gazetarin për pasoja të rënda nëse nuk bën atë që dëshiron Qazimi.

Qazimi i njohur deri tani për ushtrimin e pushtetit për interesat e tij dhe të Edi Ramës, nga dje u pa botërisht, ashtu si elbasani e njeh, si një kërcënues dhe censor dhe arrogant i medias dhe fjalës së lirë”, tha deputeti i PD-së.

Sipas Boçit, në çdo vend normal të botës, ky lloj kandidati do të kishte mbajtur përgjegjësi, do të ishte tërhequr nga gara. “Ai sigurisht nuk reflektoi. Po tani që reagoi mbarë opinioni publik dhe partnerët tanë, a do të mbajë përgjegjësi Qazim Sejdini?A do të reagojë Edi Rama, a do të bëjë ai çfarë do të ishte normale në këtë rast? A do ta tërheqë ai kandidaturën e Sejdinit, që pas skandalit të bërë publik, turpëron jo vetëm Elbasanin, por krejt vendin?”, ka thënë Boçi.

Deputeti i PD-së theksoi më tej se pavarësisht reagimit të kryeministrit, zgjedhësit e Elbasanit, kanë edhe një arsye më shumë për ti treguar vendin presionit ndaj fjalës së lirë.

“Ne nuk kemi asnjë besim tek morali i Edi Ramës, por kemi bindjen e madhe se zgjedhësit e Elbasanit kanë edhe një arsye më shumë për ti treguar vendin korrupsionit e presionit ndaj fjalës së lirë, dhe për ti dhënë Elbasanit të gjithë së bashku pa asnjë dallim, frymëmarrjen, respektin dhe dinjitetin që meriton”, përfundoi Boçi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: