Partia Demokratike çon në BE çështjen e taksës së “Rrugës së Kombit” dhe arrestimin e protestuesve kuksianë.

PD iu ka kërkuar vendeve anëtare të Bashkimit Europian të mos mbyllin sytë dhe veshët ndaj situatës në Shqipëri, sepse vendi po rrëshqet në autoritarizëm. Mesazhin e dha në Bruksel Gert Bogdani gjatë diskutimit në Asamblenë Politike të PPE-së për zhvillimet në Ballkan dhe në Shqipëri.

Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë i PD theksoi se liritë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri janë përkeqësuar ndjeshëm dhe se ekonomia është përqendruar në duart e disa oligarkëve, klientë të qeverisë.

Bogdani e quajti kontratë korruptive koncesionare, taksën 10 euro për një udhëtim, ku kompania do të marrë 400 milionë euro fitim, në një kohë kur zona e Kukësit jeton në varfëri dhe papunësi dhe ka numrin më të lartë të azilkërkuesve në Europë. Bogdani iu tha përfaqësuesve të vendeve anëtare në PPE se taksat e larta e të padrejta për qytetarët me qëllim pasurimin e njërit prej oligarkëve të lidhur me kryeministrin Rama, ishin arsyeja përse banorët e Kukësit u ngritën në protestë të bashkuar, përtej dallimeve partiake.

Bogdani (4)

Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë vuri në dukje se protestuesit u arrestuan në mënyrë të paligjshme, në shkelje të të drejtave kushtetuese dhe vazhdojnë të mbahen në burg pa një procedurë të rregullt ligjore.

“Në vijim të metodave autoritariste, për shkak të protestës kundër arrestimit të paligjshëm, janë proceduar penalisht rreth 60 deputetë, kryebashkiakë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët nuk kontrollohen nga kryeministri Rama, me synimin për të shuar zërat kritikë kundër qeverisë”, u shpreh ai.

Bogdani rikonfirmoi qëndrimin e PD për mbështetjen e hapjes së negociatave të anëtarësimit, duke argumentuar se sa më afër integrimit në Bashkimin Europian të jetë Shqipëria, aq më shumë llogaridhënie dhe mbajtje përgjegjësie do të ketë për qeverinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb