DURRËS– Një tjetër incident elektoral është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Durrës, ku sekretarja e një qendre votimi është sulmuar. Sipas Partisë Demokratike, Merene Agalliu, sekretare e një Qendre Votimi dhe bashkëshortja e kryetarit të Seksionit nr.6 të PD-së së Durrësit, është dhunuar në mënyrë barbare.

“Persona të paidentifikuar kanë sulmuar fizikisht aktivisten e Partisë Demokratike duke i thënë: “Tani voto PD-në” e më pas e kanë dhunuar rëndë fizikisht”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga PD.

Në spitalin e Durrësit, në krah të simpatizantes së PD-­së ka qenë deputeti i Durrësit, Oerd Bylykbashi, i cili në një deklaratë për media e dënoi ashpër këtë ngjarje dhe i bëri thirrje kandidatit të maxhorancës, Vangjush Dako, të tërhiqet nga dhunimi i aktivistëve të PD­-së.

Ndërkohë, dje në mbrëmje, PD ka denoncuar një tjetër incident të ndodhur në Mirditë. Sipas deputetes së PD-së, Albina Deda, kandidati i maxhorancës në këtë bashki, Ndrec Deda është kapur duke shpërndarë ndihma në këmbim të votës. PD denoncoi gjithashtu neglizhencën e policisë, e cila sipas demokratëve, pavarësisht insistimit dhe kërkesave të vazhdueshme të tyre, nuk reagoi në kohë. “Përfaqësuesit e Partisë Demokratike arritën të ndalonin furgonin e Ndrec Dedës, arritën të bllokonin këtë përpjekje të dëshpëruar të kandidatit të Edi Ramës për të dëmtuar standardin e zgjedhjeve”, u shpreh deputetja demokrate, Albina Deda.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: