TIRANË- Partia Demokratike ka depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një tjetër provë kundër ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ka qenë deputeti Enkelejd Alibeaj ai që ka dorëzuar në organin e akuzës një policë sigurimi të automjetit të famshëm “Audi” të ish-ministrit të Brendshëm që iu shit Habilajve dhe me të cilin është thënë se është kryer trafiku i drogës.

“Në cilësinë e deputeti, anëtarit të komisionit të ligjeve, anëtar i këshillit të mandateve por edhe si qytetar që ndjen detyrimin të ndihjmojë drejtësinë u paraqita sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të depozituar disa dokumente lidhur me çështjen penale të hetimit të tashmë bandës së njohur Habilaj-Tahiri. Sot kam depozituar një dokument që fakton qartësisht si drita diellit bashkëpunimin e Saimir Tahirit me një prej anëtarëve të bandës Artan Habilaj. Bëhet fjalë për një dokument, polica e sigurimit të narkomakinës “Audi” AA 003 GB. Policë sigurimi që tregon në përmbajtjen e saj dy emra, dy emra të përdoruesve të saj, Saimir Tahiri dhe Artan Habilaj që tregon faktin e bashkëpërdorimit të kësaj makine. Është përdorur si imunitet për trafikun e drogës brenda dhe jashtë vendit. Interesant është fakti që Polica e sigurimit mban datën 2 prill 2015-ës me një kohëzgjatje deri në 1 prill të 2016-ës. Një periudhë që shkon përtej datave dhe kohës që u diskutua në këshillin e mandatave që pretendohej që bashkëpunimi mes tyre të kishte ndodhur vetëm në vitin 2014-ën. Kjo tregon bashkëpunimin e vazhdueshëm përtej asaj kohe. Kohë kur edhe Dritan Zagani bëri denoncimet e tij ku edhe opozita në tetor 2015 bëri denoncimet e saj lidhur me këtë marrëveshje, bashkëpërdorim, këtë aleancë midis ministrit të Brendshëm dhe bandës së Habilajve. Kjo tregon faktin që Saimir Tahiri ka gënjyer, ka gënjyer për mospasjen e kurrfarë lidhjeje me bandën e Habilajve”, deklaroi Enkelejd Alibeaj.

Ai tha se “Prandaj, Edi Rama është në ankth dhe po bën çdo gjë për të penguar hetimin e plotë të Saimir Tahirit”.
“Dëshmia në prokurori e shoferit të Tahirit se Saimir Tahiri është takuar me Artan Habilajn në Greqi është fakt shtesë se Saimir Tahiri ka gënjyer. Këto janë prova se ai është pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës. PD inkurajon Prokurorinë e Krimeve të Rënda të shqyrtojë dokumentin me përparësi dhe të sjellë në Kuvend kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit, i kapur në flagrancë si bashkëpërdorues i makinës së drogës me bandën e Habiljave”, deklaroi Alibeaj.
Polica e sigurimit

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb