TIRANË- Partia Demokratike deklaroi sot se Skavica, projekti më i madh energjetik në vend, është gjithashtu një nga pazaret dhe aktet korruptive më të mëdha të Edi Ramës.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma tha sot se Partia Demokratike e denoncoi këtë aferë të Edi Ramës, ditën kur ai shkoi në Turqi dhe bëri bisedimet private, sekrete.

“Atëkohë, qeveria e mohoi, por më vonë, Arben Ahmetaj e pranoi në ekran aferën e Ramës, me krenari madje si bum investimi. Arben Ahmetaj në ekran; Janë disa pyetje që kanë sot qytetarët dhe opinioni publik; Kur qeveria e mori vendimin me 23 dhjetor, t’ia japë Skavicën firmës turke, pa garë, pa transparencë, përse e mbajti të fshehur dhe e shpalli me 7 janar? Kush janë zyrtarët e tjerë të qeverisë, që kanë vijuar negociatat sekrete të Edi Ramës me kompaninë turke? Përse vendimin e shpall kompania turke, përpara se sa ta bëjë publike qeveria shqiptare? Dhe, a është firma e përzgjedhur nga Edi Rama, në listën e zezë për shkak të aktiviteteve të saj të dyshimta, e shpallur si e tillë nga autoritetet turke dhe ndërkombëtare?”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Partia Demokratike do të bëjë transparencë deri në fund, për një nga pazaret më të mëdha të Edi Ramës me pasurinë e vendit. “Shqiptarët meritojnë transparencë, dhe Edi Ramës e pazareve të tij kanë për ti dhënë përgjigjen e merituar”, përfundoi Duma.

KRYEMINISTRIA: TË PAVËRTETA PRETENDIMET E PD
Fill pas akuzave të deputetes së PD-së, Duma, në lidhje me procedurat e dhënies me koncension të HEC Katund i Ri, ka reaguar Kryeministria. Nëpërmjet një njoftimi në Transparenca.al, Kryeministria ka hedhur poshtë pretendimet e PD-së, që sipas saj, selia blu me qëllim apo si rezultat i padijes, i referohet me emrin Skavica. Në reagim thuhet se bashkimi i shoqërive “Suzer Group” dhe “Nurol Holding”, në një proces krejtësisht transparent dhe ligjor, ka shfaqur interesim për ndërtimin e HEC Katund i Ri.

“Për hir të transparencës ndaj publikut sqarojmë sa vijon:
Referuar studimeve, në rastin konkret të Drinit të Zi, ka disa opsione por më i përshtatshmi dhe me më pak kosto mjedisore e sociale rekomandon që mbi këtë lum të ndërtohen 2 hidrocentrale dhe konkretisht hidrocentrali i Skavicës (HEC Skavica) dhe ai i Katundit të Ri (HEC Katund i Ri). Bashkimi i shoqërive “Suzer Group” dhe “Nurol Holding”, në një proces krejtësisht transparent dhe ligjor, ka shfaqur interesim për ndërtimin e HEC Katund i Ri. Përmes vendimit, Nr.1068, datë 23.12.2015, Qeveria ka vlerësuar projektin e specifikuar, paraqitur nga bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” për ndërtimin vetëm të “HEC Katund i Ri”, duke miratuar bonusin prej 8 pikësh. Kësisoj, referenca që Partia Demokratike bën për ndërtimin e HEC Skavica është i pavërtetë, pasi Këshilli i Ministrave i ka hapur dritën jeshile procedurave vetëm për ndërtimin e HEC Katund i Ri.”, citohet në njoftim.

Transparencë.al pohon më tej se në rastin e HEC Katund i Ri, qeveria ka përcaktuar të mos ketë më sanksionim të detyrimit paraprak të shtetit për të garantuar blerjen e energjisë. “Kjo nënkupton se investimi për këtë vepër do të jetë plotësisht privat dhe investitori do duhet të marrë përsipër të gjejë tregun për energjinë e prodhuar. Nga të gjithë investitorët e interesuar për HEC-et në Drinin e Zi, bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” ishin të vetmit që parashikonin këtë element. Një qasje e tillë është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian dhe politikat e qeverisë së Shqipërisë për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Vendimi është marrë në 23 Dhjetor 2015, në mbledhjen e pasdites së Këshillit të Ministrave. Është kryer zbardhja e vendimit dhe është transmetuar tek Qendra e Publikimeve Zyrtare e cila e ka botuar brenda afatit 10 ditor nga dita e dërgimit, edhe pse bëhet fjalë për një periudhë të vitit me disa ditë pushimi për shkak të festave.”, thuhet në njoftim.

Në reagimi thuhet se: “Bazuar në nenin 117 të Kushtetutës së RSH dhe nenit 29 të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave, vendimet e Këshillit të Ministrave publikohen në Fletoren Zyrtare dhe hyjnë në fuqi pas botimit të tyre. Në rastin konkret, vendimi është publikuar në mënyrë transparente në Fletoren Zyrtare dhe ka respektuar kërkesat ligjore nga momenti i miratimit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, deri tek publikimi në Fletoren Zyrtare. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të vijojë me hapat e mëtejshme procedurale të përcaktuara në Ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar. Këto hapa përfshijnë hartimin e dokumentacionit standard të procedurës konkurruese (ToR), publikimin, vlerësimin e ofertave të mundshme dhe në rast të një procedure të suksesshme, negocimin e kontratës.”.
Kryeministria bënë të ditur ndër të tjera se në një kohë kur procedura konkurruese nuk është zhvilluar ende, nuk ka se si të ketë shoqëri fituese të garës.

“Në një kohë kur procedura konkurruese nuk është zhvilluar ende, nuk ka se si të ketë shoqëri fituese të garës. Gjithsesi, qeveria shqiptare nuk mund të orientojë investitorët se çfarë duhet të publikojnë apo jo në faqet e tyre të internetit. Detyra e qeverisë shqiptare është të garantojë respektimin e ligjit dhe një proces e garë transparente nga fillimi në fund. Fillimi i procedurave për HEC Katund i Ri nuk pengon në asnjë rast, zhvillimin e mëpasshëm të projektit të HEC Skavicës. Referuar HEC Skavicë, për të cilin nuk ka ende procedura të filluara, projekti do të ketë një rol rregullator më të madh për gjithë Kaskadën e Drinit. Rrjedhimisht, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, duke marrë kohën dhe konsulencën për një studim të plotë, po sheh mundësinë e zhvillimit në perspektivë të këtij projekti (HEC Skavicë) duke e përfshirë edhe Korporatën Elektroenergjitike si partnere.”.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: