TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj se kompania e tij ka marrë 320 mln lekë për një shërbim për Ministrinë e Jashtme. Sekretarja për marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma tha sot se kompania Intech e ministrit Beqaj fshihet pas bashkimit të operatorëve Fastech.

“Në vijim të denoncimit të oligarkëve të Edi Ramës dhe metodave sesi i vjedhin paratë e shqiptarëve, sot po ndalemi tek Intech plus i Beqës. Sikur të mos mjaftonin miliona euro të koncesioneve në shëndetësi, që nuk janë bërë për qytetarët por për klientët, Ilir Beqaj vazhdon të marrë qindra milionë lekë me Intech-un e tij. Në fillim të këtij viti kompania e themeluar nga Beqaj ka marrë 320 milionë lekë për një shërbim për Ministrinë e Jashtme.

Pra Beqaj, kampioni i korrupsionit në shëndetësi, ka shtrirë dorën dhe nga godina përballë e Ministrisë së Jashtme”, tha Duma.

Sipas saj, Fastech është thjesht një mbulesë për paratë që merr kompania e Beqës. “E kanë rregulluar që të futen si bashkim operatorësh, ose që ti marrë Fastech, pastaj librat e shitjes tregojnë se punët i bën Intech, pra paratë në fund i merr Beqaj. Duhet të kujtojmë këtu se për vitin 2015, Intech i Beqës, mori 11 miliardë e 257 milionë lekë. 11 miliardë e 257 milionë lekë nga paratë e shqiptarëve”, tha ajo.

Duma deklaroi më tej se ‘Ky është korrupsioni tronditës që po mbush llogaritë e qeveritarëve, e Ramës e Beqëve, e po zhyt popullin në skamje. Ky korrupsion po sjell varfëri e mjerim, papunësi, krizë të gjithanshme, teksa pasuria dhe luksi i kryeministrit e oligarkëve të tij rritet çdo ditë”, theksoi Duma.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: