TIRANE- Partia Demokratike ka kërkuar sot faljen e kamatëvonesave të qytetarëve debitorë dhe pezullimin e faturave abuzive si të vetmen zgjidhje. Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma ka akuzuar kryeministrin Rama se po përdor një skemë kriminale për shlyerjen e faturave të energjisë dhe se nuk e njeh gjendjen e vështirë ekonomike të qytetarëve.

“Edi Rama po provon çdo ditë se nuk e njeh realitetin dhe vështirësitë ekstreme ku jetojnë shqiptarët. Kryeministri që po e zhyt në varfëri çdo vatër, çdo familje të vendit, del dhe thotë se shqiptarët i paskan paratë për të paguar energjinë, por nuk duan ta paguajnë atë. Paguajeni në dorë, thotë dhe ai do tregohet bujar, do u falë 80 përqind të kamatës. Kjo është skema e tij për pagesat, një skemë hiç më pak se sa kriminale.
Shqiptarët, z.Rama nuk kanë me çfarë ta paguajnë energjinë! Nuk kanë me se të paguajnë, sepse ke mbyllur dhe nuk ke krijuar asnjë vend të ri pune!”, ka deklaruar Duma.

Ajo tha se shqiptarët kanë humbur 22 mijë vende pune, përballen me çmime të rritura dhe kanë të njëjtën pagë e pension, pavarësisht se çmimet janë rritur. “Shqiptarët nuk kanë mese të paguajnë, sepse faturat që kanë vendosur xhelatët e tu të OSHEE-së, janë abuzive, janë kriminale. Dhe dhjetë herë më shumë janë abuzive dhe kriminale kamatëvonesat mbi to”, tha sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD.

Duma e ka cilësuar si “prej gangsteri”, sjelljen e kryeministrit Rama që sipas saj po u merr shqiptarëve edhe kacidhen e fundit dhe po i burgos. “Kjo është një lojë e paturpshme që ky kryeministër luan me popullin e tij. T’u marrësh kacidhen e fundit qytetarëve, t’u marrësh dhe lirinë duke i arrestuar e burgosur, kur nuk u ka mbetur asgjë pos shpirtit, është thjesht sjellje prej gangsteri”, u shpreh Duma.

Duke e quajtur aferën më korruptive, hajdutërinë e energjisë, ajo tha se qeveria duhet të falë kamatëvonesat, të pezullojë faturat abuzive dhe të shqyrtojë ankesat e abonentëve. Ndërkaq Duma deklaroi se protesta nuk do të ndalet derisa të ketë drejtësi.
“Ka vetëm një zgjidhje, falje të kamatëvonesave, pezullim të faturave abuzive, shqyrtim të shpejtë të ankesave të abonentëve. Errësira që ka mbjellë kjo qeveri në shtëpitë e qytetarëve është kriminale. Por shqiptarët dalin në dritë, dhe e treguan këtë me 22 nëntor!
Do ta tregojnë sërish! Ne jemi me ta, dhe protesta nuk ndalet derisa të ketë drejtësi.
Derisa e keqja të marrë udhët”, përfundoi Duma.

(DEKLARATA E PLOTË E PD-SË)

Edi Rama po provon çdo ditë se nuk e njeh realitetin dhe vështirësitë ekstreme ku jetojnë shqiptarët. Kryeministri që po e zhyt në varfëri çdo vatër, çdo familje të vendit, del dhe thotë se shqiptarët i paskan paratë për të paguar energjinë, por nuk duan ta paguajnë atë.
Paguajeni në dorë, thotë dhe ai do tregohet bujar, do u falë 80 përqind të kamatës. Kjo është skema e tij për pagesat, një skemë hiç më pak se sa kriminale. Kryeministri i akuzon qytetarët, të cilët mbijetojnë çdo ditë, se i paskan paratë të fshehura diku, po thjesht nuk duan të paguajnë energjinë. Shqiptarët, z.Rama nuk kanë me çfarë ta paguajnë energjinë!
Nuk kanë me se të paguajnë, sepse ke mbyllur dhe nuk ke krijuar asnjë vend të ri pune! Shqiptarët nuk kanë mese të paguajnë, sepse faturat që kanë vendosur xhelatët e tu të OSHEE-së, janë abuzive, janë kriminale. Dhe dhjetë herë më shumë janë abuzive dhe kriminale kamatëvonesat mbi to. Shqiptarët, falë këtij kryeministri kanë humbur 22 mijë vende pune, falë këtij kryeministri hasen sot me çmime të rritura, me taksa të rritura, dhe me të njëjtën pagë e pension, pavarësisht se jetesa është shtrenjtuar. Ndaj gjoja-skema e paraqitur dje është vetëm hedhje hi syve.
Nëse kryeministri i ka sytë e zënë, nga qeverisja me klientët e për klientët e tij, mbarë opinioni publik e sheh qartë se ky është një marifet i papranueshëm, për të kaluar radhën. Shqiptarët, z.Rama nuk kanë me çfarë ta paguajnë energjinë.
Kjo është një lojë e paturpshme që ky kryeministër luan me popullin e tij. T’u marrësh kacidhen e fundit qytetarëve, t’u marrësh dhe lirinë duke i arrestuar e burgosur, kur nuk u ka mbetur asgjë pos shpirtit, është thjesht sjellje prej gangsteri.
Hajdutëria e energjisë, afera më korruptive e kohëve moderne, më e madhja në gjithë rajonin, ndarja e 600 milionë eurove me kompaninë CEZ, nuk mbulohet duke zhvatur nga xhepat e shqiptarit të thjeshtë. Një ndarje ku me siguri ka hisen e tij dhe kryeministri, si autor i gropës më të madhe financiare që i është krijuar vendit dhe pasurisë publike.
Ka vetëm një zgjidhje, falje të kamatvonesave, pezullim të faturave abuzive, shqyrtim të shpejtë të ankesave të abonentëve. Errësira që ka mbjellë kjo qeveri në shtëpitë e qytetarëve është kriminale. Por shqiptarët dalin në dritë, dhe e treguan këtë me 22 nëntor!
Do ta tregojnë sërish! Ne jemi me ta, dhe protesta nuk ndalet derisa të ketë drejtësi.
Derisa e keqja të marrë udhët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: