TIRANË- Partia Demokratike hedh akuza të tjera për korrupsion dhe afera me tendera ndaj qeverisë.
Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma tha sot se një prej oligarkëve të Edi Ramës, që kap tendera në cdo institucion është deputeti i tij Sadri Abazi, me kompaninë alko-impex.

“Dy ditë më parë, ne denoncuam një rast flagrant se si ai mori 780 milionë lekë nga Bashkia Librazhd me ndërmjetësin e tij Taulant Balla, që është komisari i kësaj zone, ndërkohë që të njëjtën pune ofertuesi i dytë do ta bënte me 250 milionë lekë më pak. Korrupsioni i oligarkëve të Ramës ka prishur garën dhe konkurencën, dhe është i pranishëm në çdo zyrë e në çdo formë”, deklaroi ajo.

Por përveç kësaj, PD thotë se oligarkët kanë kapur edhe institucionet e prokurimit. “Dhe sikur të mos mjaftonte lidhja e ngushtë me kryeministrin, me shefin e përgjithshëm të tenderave, dhe lidhja me komisarët si Taulanti, këta oligarkë janë kujdesur të kapin dhe institucionet e prokurimit. Faktet janë tronditëse dhe tregojnë tentakulat e kësaj hajdutërie, të vjedhjes së parave të shqiptarëve, që janë shtrirë kudo”, u shpreh Dum.

Ajo ka drejtuar disa pyetje mbi këto çështje.
“Kemi sot disa pyetje që kërkojnë përgjigje.
-A është sot një prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut, funksionar i lartë i KPP, komisionit të prokurimeve publike?
-A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut, me një funksionare të lartë të KPP?”, tha ajo.

Sipas saj, Komisioni i Prokurimeve Publike, është zyra kryesore ku shqyrtohen ankesat që kanë subjektet kur shohin shkelje apo padrejtësi.

“Nga njëra anë, Sadriu kap çdo tender kudo ku futet, nga ana tjetër i mbyll gojën kujtdo që mund të ankohet pasi ka kapur edhe KPP-në. Ky pra është korrupsioni i Edi Ramës. Korrupsion që po shton luksin e oligarkëve dhe klientelës së tij e që po varfëron çdo ditë qytetarët e vendit. Kjo është arseja pse qeveritarët dhe oligarkët majmen çdo ditë, shtojnë pasurinë e tyre, ndërsa çdo ditë e më shumë populli zhytet në papunësi, mjerim e varfëri”, deklaroi Duma.​

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: