TIRANË- Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma njoftoi sot se Partia Demokratike ka dorëzuar sot në Kuvend kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetit Rakip Suli, pasi ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit, duke përfituar fonde publike nga OSHEE.

“Milionat që merr çdo muaj nga OSHEE, sjellin automatikisht papajtueshmërinë e mandatit të deputetit të Ramës. Pas denoncimit tonë tre ditë më parë, Suli e pranoi se godina e tij ka kontratë qiraje me OSHEE, por tha se ai nuk ka më aksione në këtë biznes.

Dokumenti i QKR që keni në ekran, tregon se tashmë aksionet i ka Saimir Suli, djali i deputetit. Dhe ligji 9367, pika 1 e nenit 24, ndalon kontratat apo përfitimet me fondet publike edhe për familjarët e deputetit, fëmijët e tij madhorë, siç është në këtë rast me djalin e zotit Suli”, u shpreh Duma.

Ajo theksoi se ky është një rast i përsëritur i abuzimit, i zhvatjes së milionave të parave të shqiptarëve nga deputetët e Edi Ramës. “Ky është shteti i korruptuar i Edi Ramës, ku në çdo drejtim, në çdo fushë është ngritur skema e ndarjes së milionave. Banda e hajdutëve të OSHEE, me porosi të Edi Ramës vazhdon të shpërndajë pako me miliona për njerëzit e kryeministrit, ndërkohë që me dhunën dhe arbitraritetin që tregon çdo javë lë pas një viktimë, një qytetar apo familjar të pamundur që nuk përballon dot errësirën në këtë dimër të ftohtë”, tha Duma.

Më tej ajo përmendi ministrin e Shëndetësisë, deputetët Sadri Abazi dhe Koço Kokëdhima që sipas PD kanë përfituar miliarda lekë.

“Kështu i zhvatin milionat këta. Ilir Beqa bën sikur heq dorë nga firma e tij, dhe merr 31 tenderë me mbi 11 milionë dollarë, Sadri Abazi po ashtu, merr 970 milionë lekë, Kokëdhima merr miliarda. Kështu pasurohet banda e Edi Ramës dhe 40 hajdutëve të tij”, theksoi Duma.

Ajo ripërsëriti thirrjen për protestë. “Për këto abuzime, vjedhje e padrejtësi, Populli është në këmbë. Revolta do ta ndalë shtetin e korruptuar të Edi Ramës. Nesër në orën 10, në dyert e parlamentit qytetarët do të tregojnë se ata janë zot të vendit”, përfundoi Duma.

Reagon deputeti: S’kam konflikt interesi
Akuzave opozitare i është përgjigjur deputeti Suli, i cili shprehet se nuk ka konflikt interesi në këtë rast, pasi ai i ka shkëputur të gjitha ligjejet me shoqërinë ku i biri është aksioner.

“Unë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Rakip Suli, nga momenti i marrjes së mandatit të deputetit nuk kam asnjë konflikt ligjor që ka të bëj me kufizimet për deputetin, kjo bazuar në nenin 28 të Ligjit Nr.9367 datë 07.04.2005 “ Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar. Në lidhje me aktivitetin që kam patur para marrjes së mandatit, jam çliruar plotësisht nga interesat e mija ekonomike që lidhen me shoqërinë “Aurora Group”, sipas Ligjit të mësipërm, këto të reflektuara në QKR.
Djali im madhor dhe i ndarë nga unë, është një ndër aksionerët e shoqërisë. Në ushtrim të aktivitetit të shoqërisë nga ana e administratorit Njazi Marku, është lidhur një kontratë qeraje me OSHEE-në për një afat provizor, e cila është në varësi të ekzekutivit dhe jo të Kuvendit të Shqipërisë pjesë e të cilit jam si deputet. Në nenin 21 pika 3 gërma “a” të Ligjit të lartpërmendur, është përcaktuar në mënyrë shterruese se, ndalimi i lidhjes së kontratave përfshin vetëm zyrtarët që ushtrojnë funksionet në institucionin publik dhe që ka për kompetencë thelbësore dhe përcaktuese në vendimmarrjen e procesit të vlerësimit të ofruesve dhe të ofertave apo në përcaktimin e termave të kontratës. Thënë ndryshe, funksioni i deputetit në rastin konkret është jashtë ndalimeve të ligjit për konfliktin e interesit.

Deputeti tha më tej se, sa i përket kontratës së qirasë që shoqëria ku është aksioner i biri ka lidhur me OSHEE, ajo ka një afat provizor. Ai shton se gjithçka është tendencioze, pasi kjo shoqëri nuk ka pozita dominuese në treg.

”Kjo bëhet më evidente, parë edhe në këndvështrim të nenit 35 paragrafi i katërt i këtij Ligji, i cili bën fjalë për praninë e interesave tek personat e lidhur me zyrtarin, sipas të cilit, këta të fundit nuk mund të ushtrojnë veprimtari si person fizik, tregëtar, ose ortakëri personash fizik, tregtar të cdo lloj forme, nëse veprimtaria përputhet ose pritet me sferën e juridiksionit të zyrtarit dhe të kompetencës së tij, për të vepruar me akte individuale apo normative të nxjerra nga ai, ose kur zyrtari ka rol thelbësor dhe përcaktues në nxjerrjen e këtyre akteve të cilat krijojnë pasoja juridike, përfitime ose kosto mbi këtë person fizik apo mbi shoqëritë tregtare e persona të tjerë fizikë, që bashkëpunojnë ose konkurojnë me personin e lidhur. Qartësisht pozita ime si deputet nuk ka asnjë lloj lidhje me përcaktimet ligjore të cituara në këtë paragraf. Tendencioziteti duket edhe ne faktin se, vlera vjetore për të cilën bëhet fjalë në këtë kontratë është më e vogël se kufiri i vendosur në nenin 35, paragrafi 4, gërma “b” të Ligjit Nr. 9367 datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar. Duhet të sqaroj se shoqëria ku është aksioner djali im nuk ka pozita dominuese ne treg sipas kërkesave të nenit 28 germa “c” dhe 34 të Ligjit të sipërcituar dhe veprimtaria e shoqërisë “Aurora Group”, nuk ka lidhje fare me objektin e kontratës së qerasë në fjalë. Për kontratën e qerasë unë si deputet nuk kam asnjë atribut, s`jam pjesë e organeve vendimmarrëse për të ndikuar apo për të lidhur kontrata sipas përcaktimeve të neneve 4/1; 4/2; 21 dhe në tërësi me frymën e Ligjit për konfliktin e interesit i ndryshuar”.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb