TIRANË – Partia Demokratike e ka konsideruar aktin e mitmarrjes së truprojës së Ministres së Arsimit, si çjerrje e maskës së qeverisë, si një dëshmi e babëzisë pa kufi.

Koordinatorja e PD-së, Grida Duma, deklaroi nga selia e kësaj partie se ky nuk është rast i vetëm i mitmarrjes për vende pune në arsim, pasi më parë ndodhi arrestimi i Drejtores së Arsimit në Lushnje për të njëjtën akuzë dhe po ashtu, një rast tjetër u denoncua nga specialistja e Ministrisë së Mirëqënies Sociale, një rast që jo vetëm që nuk u mor parasysh, por specialistja u pushua nga puna pikërisht për vitin e ri.

DEKLARATA E PLOTE E PD-së

Në një përpjekje për të larguar vëmendjen nga ngjarja e rëndë e mbështetjes së hapur me oficerë policie të bandës kriminale në Tiranë, Edi Rama tenton të nxjerrë lavdi nga një zinxhir dështimesh e korrupsioni në arsim.

Korrupsioni në arsim, nisi me caktiminin e militantëve të paaftë në drejtoritë arsimore, vazhdoi me instalimin zyrtar të rryshfetit për emërimin e mësuesve, u thellua edhe me skadalin favore seksuale, dhe kulmoi tani me mitmarrjen deri tek njerëzit e afërt të Ministres. Rasti i Korçës, nuk është aspak një zbulim i Ministres, aq më pak i Edi Ramës, është cjerrje e maskës së tyre.

Eshtë dëshmi e babëzisë pa kufi, babëzi që në fund del sheshit e nuk mbulohet dot më. Përpjekja e Edi Ramës për të përfituar lavdi nga mënxyrat e veta , është jo vetëm e neveritshme por e rrezikshme. E vërteta dihet, dihet se ai e instaloi këtë mekanizëm në arsim që ditën e parë, me drejtoreshat e Tiranës, me të Lushnjës, e kudo, e me këtë mënyrë drejtimi që ka përhapur në cdo zyrë, ofrimin e vendeve të punës në këmbim të rryshfetit dhe favoreve seksuale.

Kot lodhet dhe kot shkruan për korrupsionin Edi Rama. Nuk e beson më askush. Ja ku e kishte rastin, me fakte konkrete, kur zonja Luiza Gjonaj, i ankohet Edi Ramës se shefja e saj, njeriu i Erion Veliajt, po e detyron të firmosë një procedurë të paligjshme që të përfitojë kompania e Ministrit.
Ankesa është shkresë zyrtare, drejtuar Kryeministrit. Rasti u bë publik pas denoncimit tonë. Çfarë bëri Kryeministri? Pushoi nga puna zyrtaren e guximshme dhe me dinjitet që nuk u pajtua me shkeljen, që denoncoi korrupsionin, dhe ky lajm iu komunikua asaj ditën e fundit të vitit.
Kjo është shkresa e largimit nga puna që ka marrë zonja Gjonaj, pasi nxori faktet e abuzimit dhe përfitimit të Ministrit.

Kështu e lufton korrupsionin Edi Rama. Bën thirrje për ta denoncuar, por nëse dikush guxon të denoncojë ministrin e tij, për aferat e kompanisë së tij, pushohet nga puna.
Qytetarët e kanë kuptuar. Do të ngrihen kundër korrupsionit që ka mbirë në cdo zyrë e po rrënon dinjitetin dhe jetët e tyre. Qytetarët do ta ndalojnë të keqen!

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: