Fati i kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj, është në duart e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Prokuroria e Përgjithshme përfundoi procesin e verifikimit që u iniciua nga Partia Demokratike dhe informoi këtë të martë për rezultatin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në dokumentin që disponon “BalkanWeb” rezulton se Agron Malaj, është cilësuar fajtor në 1999 për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe dënuar me 10 muaj burgim, ndërsa është pushuar akuza e plagosjes së lehtë me dashje.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në qytetin e Burrelit 21 vite më parë, ku në mjedisin ku ushtronte aktivitetin e tij një berber, Agron Malaj është takuar me një person tjetër dhe ata kanë shkëmbyer replika dhe shprehur pakënaqësi për mosshlyerjen e një dëmi lidhur me një motovikletë të dëmtuar, situaë e cila ka percipituar në grindje, c’ka ka bërë që Malaj të nxcjerrë pistoletën dhe të qëllojë në drejtim të personit me të cilin kishte konfliktin. Në dokumentin e prokurorisë pasqyrohet fakti se ndaj Malajt ka patur një hetim në 2011, për ngjarjet e 21 janarit, ku në Bulevard mbetën të vrarë 4 persona, por më pas çështja ndaj tij është pushuar.

Asokohe Agron Malajt ishte gardist në Gardën e Republikës dhe ndodhej i pizicioniuar në ambjentet e jashtme të kryeministrisë, por rezultoi se me armën e tij nuk kishte qëlluar, e për këtë shkak u përball pa problem me drejtësinë.

Për rasin e tij, prokuroria arsyeton më tej se nuk ishte e nevojshme, kërkimi i të dhënave jashtë vendit. Lidhur me mendatin e Malajt, prokuroria thotë se nuk mund të shhprehet, pasi kjo është detyrë e KQZ.

“Sa i takon faktit nëse vepra penale për të cilin subjekti deklaruar duhet të përfshihet ose jo në kufizimet e parashikuara në ligjin e Dekriminalizimit, referuar frymës së ligjit dhe vendimit të Kuvendit, është detyre e institucioneve përgjegjëse në rastin konkret, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të disponuar me vendim”, thuhet në dokument.

Akuza e PD: Agron Malaj i dënuar për armëmbajtje pa leje

Partia Demokratike ka akuzuar kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj, se nuk mund të vazhdojë detyrën për shkak se preket nga ligji i dekriminalizimit.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, tha se Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës, pasi është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje.

“Ky është rasti i pestë që konfirmon se Edi Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit dhe ndan pushtet me krimin. PD i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ të administrojë pa vonesë vendimin e Gjykatës së Matit dhe për heqjen e menjëhershme të mandatit për Agron Malajn”, tha Bardhi.

Sipas vendimit të dënimit, publikuar nga PD, Malaj rezulton i dënuar në vitin 1999. Më vonë ai ka qenë pjesë e Gardës së Republikës, madje ka qenë në detyrë në 21 janar 2011, ku gjatë protestës para Kryeministrisë humbën jetën 4 persona dhe disa të tjerë u plagosën.

Përgjigja e Agron Malajt

Me anë të një statusi në Facebook, Malaj nuk ka lënë pa përmendur tragjedinë e 21 janarit ku sipas tij ai ka humbur një anëtar të familjes së tij në këtë ngjarje. Ai vijon duke thënë se emrin i tij është lidhur me tragjedinë e 21 janarit si një ish gardist në krye të detyrës i cili refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit.

Në lidhje me akuzat e PD mbi deklarimin e demkriminalizimit është shprehur se kush ka dyshime për pastërtinë e tij të hapë vendimin e KQZ, ku certifikohet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje. Malaj tha se është dënuar, por se e ka treguar atë në formularin e dekriminalizimit.

Reagimi i plotë i Agron Malajt:

21 janari është një tragjedi me të cilën mua më është dashur të jetoj çdo ditë gjatë 9 viteve të fundit. Unë nuk humba në atë tragjedi asnjë pjesëtar të familjes time. Por ka megjithatë diçka që më bashkon mua, ish “gardistin e 21 Janarit” me familjet e 4 qytetarëve të pafajshëm që humbën jetën në atë ditë të tmerrshme. Na bashkon dëshira që ajo ngjarje të zbardhet e drejtësia të shkojë në vend.

Prej 9 vitesh tashmë emri im është lidhur me atë ngjarje tragjike. Emri i një njeriu, i një ish gardisti në krye të detyrës, që refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm, është lidhur në mënyrën më perverse me vrasjen e Ziverit, Aleksit, Faikut dhe Hekuranit, jo nga familjet, jo nga organet e ligjit, por pikërisht nga ata që dhanë urdhër për të qëlluar e më pas shkelën çdo ligj e çdo normë, për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës.

Unë sot, vijoj punën time me kokën lart. Me ndërgjegjen e pastër. Mbi mua nuk rëndon asnjë akuzë. As për 21 janarin e as për asgjë tjetër. Kush ka ende dyshime për këtë mund të hapë vendimin e KQZ, bazuar në vendimin e Prokurorisë, ku çertifikohet pastërtia e figurës time dhe më njihet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje. A mund ta thonë të njëjtën gjë ata që sot drejtojnë sulmin kundër meje? A nuk do duhej që të paktën sot, në 21 janar, së paku të mbyllnin gojën e të ulnin kokën nga turpi për jetët e pafajshme që kanë marrë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nën urdhrat e ish kryeministrit dhe të atij që asokohe ishte Ministër i Brendshëm dhe që në çdo vend normal do ishin dënuar jo një, por disa herë, për krime që shkojnë nga vjedhja e korrupsioni e deri tek pastrimi i parave e financimi nga Rusia dhe vrasja?

Por mbi mua rëndon nevoja që kjo ngjarje të zbardhet e fajtorët të shkojnë atje ku meritojnë të shkojnë ata që duke shkelur ligjin kanë marrë jetë njerëzish. Prandaj, sot dua së pari, t’ju shpreh familjarëve ngushëllimet e mia. E së dyti, t’ju them atyre që as unë nuk do të rresht së kërkuari që ajo tragjedi e ai krim shtetëror të zbardhet duke nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët e tij të vërtetë, sado lart qofshin ata në jetën politike të vendit.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb