TIRANE– Komisioni i Ekonomisë nuk ka mundur dot të shkarkojë drejtoreshën e AMF-së Enkelejda Shehi, pasi anëtarët e LSI kanë bojkotuar mbledhjen, duke thelluar në njëfarë mënyre përçarjen me Partinë Socialiste, me të cilën janë në koalicionin qeverisës.

Përveç anëtarëve të Partisë Demokratike, komisionin e kanë bojkotuar dhe anëtarët e Lëvizjes Socialiste duke mos plotësuar kuorumin e nevojshëm për shkarkim. Shkarkimi i drejtoreshës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkelejda Shehi e cila është gruaja e kreut të LZHK-së Dashamir Shehi është një nismë e Partisë Socialiste.

Kujtojmë se Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e drejtoreshës ekzekutive të AMF-së, Enkelejda Shehi.

Shkresa është bërë publike nga kryetari i komisionit të ekonomisë, Erion Braçe. Në letrën e mbërritur në Kuvend janë argumentuar një seri shkeljesh të pretenduara nga Bordi për drejtoreshën ekzekutive të këtij institucioni, duke nisur nga sjellja joprofesionale deri tek moszbatimi i rezolutës së Kuvendit.

Kryetarja e AMF-së, shkeljet e pretenduara nga bordi i cilësoi mediokre, të orkestruara nga kryetari i bordit, Pajtim Melani, dhe kryetari i komisionit, Erjon Braçe.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb