TIRANË- Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj kreut të Kuvendit, për çështjen e CEZ. Në një deklaratë për mediat, deputeti Luçiano Boçi, në emër të PD-së, kërkoi sërish dorëheqjen e Metës dhe i bëri apel Prokurorisë të nisë hetimin.

“Fakte të reja janë publikuar sot për korrupsionin dhe skemën e mashtrimit me miliona euro në CEZ. Agjencia BIRN ka bërë sot publike dëshminë e plotë të ish-drejtorit të CEZ, Hajsek, i cili u ka deklaruar avokatëve të qeverisë shqiptare se DIA, firma e Kastriot Ismailaj, iu imponua kompanisë çeke, nga Ilir Meta. Drejtori çek ka dëshmuar për lidhjen e fortë të Ismailajt me kryetarin e parlamentit. Ryshfeti me miliona euro për të cilin akuzohet Ilir Meta shihet nga avokatët e qeverisë shqiptare si provë kyçe në procesin e arbitrazhit që po mbahet në Vjenë. Ata e konsiderojnë këtë rast si një nga skemat më të mëdha të mashtrimit dhe korrupsionit të vendit tonë”, tha Boçi.

Ai theksoi se pikërisht për këto afera skandaloze, qeveria e kryeministrit Berisha i dërgoi për ndjekje penale Kastriot Ismailajn dhe CEZ-in.

“Nga ana tjetër Edi Rama dhe Ilir Meta me ardhjen e tyre në pushtet jo vetëm i falën apo ndanë me CEZ 600 milionë euro borxhe të njohura nga CEZ, por ata me një akt mafioz e të kundraligjshëm nënshkruan për të ndërprerë hetimet dhe ndjekjen penale për aferën e korrupsionit të CEZ me Kastriot Ismailaj. Ndërsa Petrit Ahmeti, i identifikuar nga Hajsek si negociatori për kontratën e Kastriot Ismailajt ka rilindur dhe sot është kreu i ERE, me propozim të Ilir Metës”, u shpreh deputeti demokrat.

Boçi tha se sipas dëshmisë së publikuar sot Ilir Meta rezulton drejtpërdrejt i përfshirë në këtë skemë korrupsioni me miliona euro, si lobues që kompania DIA e mikut të tij Ismailaj, të përfitonte shumat e mëdha nga kompania CEZ.

“Dëshmia e ish drejtorit çek Hajsek është dokument zyrtar i avokatëve të qeverisë Rama në gjyqin e arbitrazhit, dhe ata kanë paraqitur gjithashtu një raport ku shkruhet se paratë që përfitoi me mashtrim Kastriot Ismailaj u përdorën për ryshfete ku përfitoi ish-kryeministri Ilir Meta”, vijoi ai.

Në përfundim Boçi tha se “këto janë faktet e dala në publik. Ilir Meta është nën akuzë për marrje ryshfeti”, duke kërkuar që ai të shkojë para drejtësisë.

“Ai duhet të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë. Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë pa vonesë hetimin, për atë që vetë avokatët e qeverisë Rama e cilësojnë si skema më e madhe e mashtrimit dhe e korrupsionit në Shqipëri”, deklaroi Boçi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: