TIRANE – Pas denoncimit të ish-kryeministrit Berisha, sipas të cilit shefi i qeverisë ka shpërblyer vajzën e bashkëshortes së tij me 600 mijë euro, për të këshilluar vetë Edi Ramën, Partia Demokratike akuzon sot kryeministrin se po vjedh paratë e shqiptarëve.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa tha se “600 mijë euro është fatura e korrupsionit për qytetaret. Paratë shkojnë në llogaritë e familjarëve të kryeministrit, ndërkohë që shqiptarët kërkojnë ujë, rrugë, kërkojnë punë”.

DEKLARATA E ZËDHËNËSES INA ZHUPA
600 mijë euro janë pagesë papunësie për 12 mijë familje të varfra.
600 mijë euro janë paga minimale për 3 mijë e 727 persona.
Janë pensioni mesatar për 5500 persona.
Me 600 mijë euro, Edi Rama mund të kishte siguruar ujë të pijshëm për 2 mijë banorë, duke ndërtuar një ujësjellës.
Me 600 mijë euro mund të kishte rregulluar 5 kilometra rrugë dytësore, ose rrugë fshati që u shërbejnë mijëra banorëve.
Por Edi Rama ka zgjedhur t’ia japë firmës ku punon vajza e gruas së tij.
600 mijë euro, me një dorë.
Prandaj nuk ka para për investime, për ujësjellësa, për rrugë, për vende pune, për të luftuar varfërinë, sepse paratë e shqiptarëve me Edi Ramën janë të destinuara për korrupsion, janë të destinuara të vidhen.
Sepse pa transparencë, pa garë, pa kritere të shpallura, Edi Rama fut 600 mijë euro të shqiptarëve ne xhepat e kompanisë ku punon vajza e gruas së tij. Për me demek konsulence.
Kjo është fatura e korrupsionit për qytetaret. Paratë shkojnë në llogaritë e familjarëve të kryeministrit, ndërkohë që shqiptarët kërkojnë ujë, rrugë, kërkojnë punë.
Por Edi Rama nuk punon për shqiptarët, ai ka hequr dorë de fakto nga detyra.
Edi Rama punon vetëm për vete e për oligarkët që e rrethojnë.
Ky sundim do të përmbyset shpejt.
Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.

DENONCIMI I BERISHES
Një ditë më parë, në një status në faqen e tij në “Facebook”, ish-kryeministri Berisha shkruante se “kompania “51N4E” ku është e punësuar vajza e zonjës Rama, ka fituar një tender të qeverisë shqiptare prej 600 mijë eurosh, për të dhënë këshilla Fondit Shqiptar të Zhvillimit Rajonal me kryetar vet njerkun Edvin Kristaq Rama të zonjushës Xhillari!”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: