Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka theksuar nevojën për bashkimin e demokratëve në luftën për rrotacionin politik dhe për të larguar qeverinë e korruptuar.
Gjekmarkaj, i cili gjithashtu mban postin e Drejtuesit Politik të Qarkut Lezhë, bëri këto komente gjatë një aktiviteti të organizuar për të festuar 34-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në Kurbin. Ai nuk kursyeu akuza ndaj drejtuesve të Bashkive të Lezhës dhe Kurbinit, duke i quajtur banditë.
Në këtë përvjetor, aktiviteti u përshëndet gjithashtu nga deputetët e Qarkut Lezhë, të cilët theksuan rëndësinë e betejës elektorale të 11 majit. Demokratët e Kurbinit shpallën një mesazh të qartë për fitoren e thellë në zgjedhjet e ardhshme në këtë zonë.
“Përvjetore si ky i sotmi janë gjithashtu momente mirënjohje për të gjithë ata guximitarë e vizionarë, themelues që sfiduan sigurimin e shtetit, falangat e dikaturës dhe i dhanë jetë këtu të parës parti opozitare, PD! Mirënjohje e nderim themeluesve! Datat shërbejnë si kujtesë e si reflektim!
Ne jemi krenar për 34 vitet tona! Arritjet madhore të Shqipërisë, pluralizmi, liria, demokracia, kapitalizmi, shteti i së drejtes, integrimi, Shqipëria në NATO, Shqipëria pa viza, Shqipëria në aleancë me Perëndimin, rritja ekonomike, infrastruktuara e shumëçka tjetër ndodhen kur Shqipëria u qeveris nga PD!
Ne rrëzuam diktaturën megjithë presionin e gjithëanshëm në zgjedhjet e 22 Marsit të vitit 1992! Ne u rikthyem me votë popullore në vitin 2005 pasi u rrëzuam me armë në vitin famëkeq 1997! Ne i mbijetuam agresionit mafioz dhe përsëri do të fitojmë me 11 Maj!
Ne jemi Partia Demokratike, e mendimit dhe fjalës së lirë! Ne dimë të ringrihemi, dimë ta shohim njëri-tjetrin në sy, ne dimë të kërkojmë falje, ne dimë të bashkohemi me njëri-tjetrin dhe me qytetarët! Ne dimë ti përkufizojmë gabimet tona e ti korigjojmë ato!
Ne të pamundurën e kemi bërë të mundur! Këtij proçesi i ka prirë Sali Berisha i cili e ka shndërruar edhe një herë PD-në në parti fituese!
Si është Shqipëria sot pyet secili prej nesh? Ajo qeveriset nga një bandë! Ajo vidhet nga kjo bandë. Ajo shkretohet nga kjo bandë! Kësaj bande i prinë Edi Rama!
O rri Edi Rama dhe ikën Shqipëria ose rri Shqipëria dhe ikë Edi Rama bashkë me shpurën e tij të veseve!
Unë besoj ashtu si edhe ju tek fitorja e Shqipërisë dhe humbja e Edi Ramës! Nuk ikën populli, ikën qeveria që ka rrënuar jetesën normale në këtë vend që mjerisht qeverisin tash 12 vjet!
Ne besojmë tek fitorja, punojmë për fitoren dhe ne do të fitojmë! Laçi, Miloti, Mamurrasi dhe Fushë Kuqja do të jenë shembulli i ndryshimit, historia e ka dëshmuar këtë. Gëzuar ditëlindjen e PD-së mbarë demokratëve të Kurbinit. Zoti ju bekoftë të gjithëve dhe fitoren tonë të pranverës, kaq të nevojshme për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurtë të Shqipërisë!”, shkroi Gjekmarkaj në Facebook.