TIRANE – Sipas Partisë Demokratike, kryeministri Rama po keqpërdor për propagandë rastin e zëvendësministres që rezultonte debitore ndaj OSHEE-së. Zëdhënësja e PD-së, Orjela Nebijaj tha se “fletërrufetë nuk i mbulojnë dot zullumet e kryeministrit me energjinë”.

“Nuk gjen dot asnjë thes Edi Rama që të mbulojë zullumet që ka bërë me energjinë. Po keqpërdor rastin e një zëvendësministreje debitore, për të bërë propagandë, por nuk ngjit kjo askund, tek askush. Nuk ngjit se mbarë opinioni publik e di se Edi Rama i fali kompanisë CEZ me një aferë të pastër korruptive e kundër interesave të shqiptarëve, 600 milionë euro. Solli në krye të OSHEE hajdutët më të mëdhenj të energjisë dhe persona me precedent penalë. Po gjobit me fatura abuzive mijëra familjarë. Po rrit çmimin e energjisë elektrike për më shumë se 75 përqind të qytetarëve, pikërisht ata që kanë më pak mundësi të paguajnë”-deklaroi zëdhënësja e PD-së.

Sipas Partisë Demokratike, “Rama ka vënë drejtor të përgjithshëm, njeriun e tij, i cili po hetohet për një seri abuzimesh që ka bërë me fondet publike, për një dyzinë tenderash kur ishte në Bashkinë e Durrësit. Ja ku është dosja që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar në prokurori për një nga rastet. Shkelje të barazisë në tendera, dhe është bërë kallëzim penal ndaj tij. Kështu që, fletërrufetë e tij dhe lincimi publik që po i bën një gruaje zëvendësministre nuk e ndihmojnë aspak të fshihet pas gishtit. Edi Rama është i identifikuar në sytë e gjithë qytetarëve si abuzuesi më i madh me energjinë, bashkë me cirakët e tij, hajdutë të pashembullt”.

REAGON MIE: OPOZITA DUHET TË HESHTË, PO MBRON SHKELËSIT E LIGJIT
Ministria e Energjisë reagoi pas deklaratës së zëdhënëses së PD-së, duke akuzuar opozitën se po mbron shkelësit e ligjit.
“Keqardhje për opozitën e cila është kthyer në avokaten dhe zëdhënësen e çdo njeriu që shkel ligjin, që nuk paguan energjinë, që vjedh pasurinë publike. E vetëdijshme për flluskën e “superfuqisë energjitike” dhe kolapsin ku e çoi sistemin energjetik në 8 vitet e qeverisjes së saj, tanimë opozita së paku do duhet të heshtë. Në vend që ta mbështesë Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në përpjekjen për tu rimëkëmbur, Partia Demokratike zgjedh ta sulmojë sikur kërkon dhe dëshiron falimentimin e tij. Në vend që tu bëjë thirrje qytetarëve të paguajnë detyrimet e energjisë elektrike, Partia Demokratike bën të kundërtën, inkurajon dhe nxit mospagesën e energjisë. Në vend që të marrë anën e qytetarëve të ndershëm, kundër atyre që abuzojnë, Partia Demokratike rreshtohet fuqimisht në mbrojtje të atyre që e trajtojnë energjinë si mall pa zot. Është e drejta e Partisë Demokratike të zgjedhë se çfarë qëndrimi publik do të mbajë, por të kthehesh në mbrojtës të verbër të kujtdo që shkel ligjin, është e turpshme dhe amorale. Nëse u kërkojmë qytetarëve të paguajnë faturën e energjisë, ne jemi të parët që duhet të japim shembullin. Përpjekjet e Partisë Demokratike për të penguar rimëkëmbjen energjitike do të dështojnë. Qytetarët e ndershëm janë shumicë. Ata duan të trajtohen të barabartë. Gjithkush do të paguajë për energjinë që konsumon, askush që abuzon nuk do të tolerohet.”- thuhet në reagimin e Ministrisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: