TIRANE- Partia Demokratike ka deklaruar sot se kryeministri Rama do të rrisë çmimin e energjisë me 22 përqind më shumë dhe se kjo rritje do të prekë 75% të popullsisë. Ka qenë drejtuesja e Departamentit të Energjisë dhe Burimeve Natyrore në PD, Zana Guxholli, e cila tha se rritja e çmimit do të jetë rreth 4.6 lekë për kilovat orë. Sipas saj rritja e çmimit të energjisë vjen në një kohë kur mijëra vende punë janë humbur, kur varfëria është rritur, kur taksat janë rritur, kur çmimet janë rritur dhe jetesa është shtrenjtuar.

“Edi Rama më në fund e pranoi zyrtarisht, me zë e me figurë, se do ta rrisë çmimin e energjisë elektrike. Rritja e çmimit sipas qeverisë do të jetë rreth 4.6 lekë për kilovat orë, pra rreth 22 përqind më shumë. Ky çmim i ri i qeverisë do të prekë 75 përqind të popullsisë, pjesën më të varfër e të pamundur. Edi Rama për shumë javë la në errësirë jo vetëm mijëra familje të pamundura për të paguar energjinë, por la në errësirë edhe projektin e saj për rritjen e çmimit. Më në fund e vërteta u bë me zë. Rritja e çmimit të energjisë u shpall. Ata që nuk kanë, do të paguajnë më shumë, dhe ata që kanë, do të paguajnë më pak”, u shpreh Guxholli.

Ajo shtoi se në kundërshtim me atë që ishte premtuar në fushatë, Rama po rrit çmimin e energjisë dhe ngarkon qytetarët me fatura abuzive.

“Edi Rama premtoi në fushatë ulje drastike të çmimit të energjisë, por në fakt po e rrit. Jo vetëm po rrit çmimin, por me fatura abuzive në kurriz të qytetarëve po mbulon gropën financiare me aferën korruptive 600 milionë euro që firmosi me kompaninë CEZ. Edi Rama i fali kompanisë çeke 600 milionë euro, fatura të njohura e të papaguara, dhe nuk i fal qytetarëve shqiptarë të paktën kamatëvonesat”, tha Drejtuesja e Departamentit të Energjisë dhe Burimeve Natyrore në PD.

Guxholli akuzoi kryeministrin se “po rrit çmimin dhe po e menaxhon energjinë me hajdutë të paskrupullt e me persona me precedent penalë”. “Rritja e çmimit të energjisë që ka planifikuar Edi Rama, vjen në një kohë kur mijëra vende punë janë humbur, kur varfëria është rritur, kur taksat janë rritur, kur çmimet janë rritur dhe jetesa është shtrenjtuar. Rritja e çmimit të energjisë, vjen në një kohë kur pagat dhe pensionet kanë mbetur po ato, madje mund të thuhet se janë ulur për shkak të rritjes së kostos së jetesës”, deklaroi Suzana Guxholli.

Ajo ka paralajmëruar edhe njëherë se qytetarët nuk do ta lejojnë këtë dhe qeveria do të përballet me protesta popullore. “Kjo është një padrejtësi e papranueshme që i bëhet qytetarëve nga Edi Rama. Por qytetarët e treguan se nuk pajtohen me arbitraritetin dhe pandjeshmërinë e qeverisë. Dhe qytetarët nuk do ta lejojnë këtë mynxyrë. Protesta popullore do ta ndalë të keqen”, përfundoi Guxholli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb