TIRANË-Sot përkujtohet 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Ashtu si çdo vit tjetër, edhe sot të rënët në luftën antifashiste janë përkujtuar me ceremoni zyrtare homazhesh. Reth orës 11:20 memorialit “Nënë Shqipëri” ju drejtuan krerët e shtetit. Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta, kabineti i ministrave, deputetë dhe veteranë të luftës u përkulën me nderime dhe vendosën kurora me lule.
Më herët homazhe në Varrezat e Dëshmorëve zhvilluan edhe përfaqësuesit e opozitës. Kreu i PD-së Luzim Basha i shoqëruar nga ish kryeministri Sali Berisha si dhe kandidati i Partisë Demokratike Halim Kosova vendosën kurora me lule dhe u përkulën para memorialit “Nënë Shqipëri”.
Për komunistët, homazhet pranë të rënëve u kthyen në mollë të ndaluar, pasi ata nuk janë lejuar të hyjnë në Varrezat e Dëshmorëve.

RAMA: “PA DALLIM FEJE KRAHINE DHE IDEJE” DREJT EUROPËS SË BASHKUAR
Ora 12:08- Kryeministri Rama tha gjatë fjalës së tij se ishin 5 fjalët që bashkuan Shqipërinë e vogël në kohën e luftës, fjalë të cilat janë akoma të gjalla dhe që e bëjnë Shqipërinë të ecë në drejtimin e duhur, drejt Evropës së Bashkuar.

“Historinë e shkruan mijëra vajza dhe djem që kishin me vete vetëm një armë përballë armiqve, kishin të drejtën që i bëri ti hyjnë detit me këmbë pa e humbur rrugën përtej gjakut, dhimbjeve dhe përqeshjeve. Ishin 5 fjalë që e bashkuan Shqipërinë e vogël që të gjendet mes çlirimtarëve të botës ku jetojmë…Pa dallim feje krahine dhe ideje është kjo pika për të ecur në drejtimin e duhur, duke luftuar me tundimet përçarëse, në rrugën e vështirë të Shqipërisë në Europën e bashkuar”.

Kreu i shtetit në këtë ceremoni theksoi se duhet ta bëjmë atdheun e Qemal Stafës një vend të denjë për të jetuar të gjithë, ndërsa nuk nguroi të nënvizojë se po qeveris në emër të vlerave dhe ideve.

“Ne sot jemi krenarë për faktin që s’kemi ngelur symbyllur përpara problemeve të trashëguara, po shënojmë kthesën e Shqipërisë në drejtimin e duhur”,- tha ai.

Duke akuzuar qeverinë e kaluar, kreu i qeverisë tha se ata premtuan parajsën, ndërkohë që ndërtuan ferrin, si pasojë e pushtetit të injorancës e babëzisë.

“Problemet i lanë në rrjedhje të lirë, koha rrodhi në favor të korrupsionit, varfërisë, gjeneruan plagë të reja për Shqipërinë e dalë nga kultura e proletariatit”,- shtoi Rama.

Duke përkujtuar me nderim të rënët e luftës, kreu i qeverisë nënvijëzoi se “asgjë nuk është e pamundur kur të gjithë jemi bashkë”.

“Ne kemi zgjedhur të udhëheqim vendin në rrugën e së ardhmes, jemi mishërim i luftës ndaj varfërisë së aspiratave. Ne jemi të gatshëm të japim mishin dhe shpirtin…ky është drejtimi i duhur që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja…mirënjohjen tonë të thellë e meritojnë Dëshmorët e Atdheut”, tha ai ndër të tjera.

META: NDERIM DHE MIRËNJOHJE PËR SAKRIFICËN E DËSHMORËVE. TË ECIM NË RRUGËN E PROGRESIT
Ora 11:40-Kreu i Kuvendit Ilir Meta shprehu mirënjohje për sakrificën e mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Ai theksoi se është krenar për faktin që Shqipëria tashmë është vend i NATO-s dhe kandidat për në BE. “Sot është një ditë e veçantë për kombin tonë, është dita e Qemal Stafës dhe gjithë dëshmorëve të atdheut. Dita kur përkulemi me nderim dhe mirënjohje për aktin e tyre më sublim, për gjakun e derdhur për lirinë e atdheut. Jemi shumë krenarë sepse kjo ngjarje lidhet me ekzistencën e shtetit tonë. Pa këtë sakrificë sublime Shqipëria nuk do ishte ajo që është sot. Në kohën më të vështirë dhe të turbullt kur kombe dhe shtete shumë të fuqishëm kapitulluan dhe e pritën nazi-fashizmin me lule shqiptarët e priten me armë duke i bërë të qartë Europës se kjo ishte rruga e vetme me të cilën mund të përballohej nazi- fashizmi,.
Ne jemi krenarë që të rinjtë e Shqipërisë e kishin të qartë që lufta ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar kombin. Ne jemi krenarë që jemi anëtar të NATO-s dhe kemi marrë statusin kandidat në BE . Në themelet e kësaj Shqipërie është ëndrra e Qemal Stafës dhe bijëve që dhanë jetën e tyre. Ndaj do u jemi gjithmonë mirënjohës.”- u shpreh Meta.

VELIAJ:VETERANËT STOLIA MË E BUKUR E QYTETIT
Ora 11:30-Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj i cilësoi veteranët e luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare si stolinë më të bukur të qytetit. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar në nderim të dëshmorëve Veliaj theksoi se kombi ynë nuk u bë bashkë rastësisht por fal sakrificës së mijëra të rinjve që mendonin për drejtimin e duhur. Ai theksois e eshte nip deshmori.
“Veteranët janë stolia më e bukur e qytetit. Unë jam një nip veteranësh. Im gjysh themeloi dhe luftoi në brigadën e VII. Gjyshërit tanë na kujtojnë çfarë do të thotë të ishe i ri 70 vite më parë. Kombi ynë nuk ëstë bërë bashkë nga rastësia. Fakti që Qemal Stafa mendonte se kishte një rrugë të duhur ku Shqipëria duhet të shkonte. Më vjen mirë që edhe të rinjtë e sotëm ata që janë aktivistë dhe idealistë sot kanë vënë një lule në varrezat e dëshmorëve.”- u shpreh Veliaj.

PD HOMAZHE TEK VARREZAT E DËSHMORËVE, BASHA: 5 MAJI FRYMËZIM PËR ÇDO SHQIPTAR QË TË BËJË ZGJEDHJEN E DUHUR
Ora 09:30-Homazhet nisën paraditen e sotme nga drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike, të cilët bënë homazhe dhe vendosën kurora pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në përkujtim të të rënëve në Luftën për çlirimin e Atdheut. Kryedemokrati Basha, ish-kryeministri Sali Berisha por edhe kandidati për Bashkinë parakaluan me nderim dhe vendosën kurora me lule tek memoriali “Nënë Shqipëri”

Në një deklaratë për gazetarët, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se jemi sot këtu për të nderuar dhe përkulur me nderim para atyre që zgjodhën flijimin në emër të idealeve të larta të lirisë, e cila nuk është vetëm një koncept abstrakt, por dhe një ëndërr e shtrenjtë për të krijuar dhe për t’u shprehur.

Shumica dërrmuese e atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë, vijoi Basha, ishin të rinj në lulen e jetës dhe kjo është vlera e lirisë kombëtare. 5 Maji, shtoi Basha, është frymëzim për çdo shqiptar për të bërë zgjedhjen e duhur.

“Liria kombëtare është parakusht i zhvillimit, liria individuale është themeli i paqes shoqërore, shumica e dëshmorëve të atdheut, të mijërave që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, ishin të rinj në lule të jetës, ata patën një zgjedhje shumë më të rëndë se cdo zgjedhje me të cilën ballafaqohet rinia sot. Kjo është vlera e lirisë kombëtare, këtë duhet të kemi parasysh. Ne sot kemi një zgjedhje, të forcojmë e thellojmë lirinë, për të punuar, prodhuar mirëqenie, për tu shprehur, votuar e larguar me votë qeverinë, ose uljen e kokës, zhbërjen e lirisë. 5 maji është frymëzim për cdo shqiptar për të bërë zgjedhjen e duhur, për lirinë, paqen sociale, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve të atdheut e duke bërë të
mundur përparimin e vendit”­,-shtoi ai.

(ma.ar/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb