Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji iu është rikthyer sërish çështjes “Babalja”, ndërsa ka ripublikuar disa përgjiime ku dëgjohet se si Fredi Alizoti flet me disa persona, që sipas selisë blu janë drejtues të policisë së Fierit.

Në një deklaratë publike nga selia e PD-së Salianji tha se për Agron Xhafajn, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk ka asnjë akuzë për trafik droge, ndërsa shtoi se prokuroria kërkoi burgosjen për denoncuesit. Po ashtu Salianji tha se dëshmitari Alizoti është paguar për të dëshmuar nga drejtues të policisë, duke shtuar se hetimet u devijuan qëllimshëm. Mes të tjerash demokrati tha se prokuroria nuk i ka publikuar këto përgjime.

“Një vit e gjysëm pas publikimit të skandalit të përfshirjes në trafik droge të Agron Xhafajt, vëllait të Ministrit të Brendshëm të kohës Fatmir Xhafaj, drejtësia e kontrolluar nga Edi Rama ka bërë dy veprime domethënëse.
1. Për Agron Xhafajn nuk ka asnjë akuzë për përfshirje në trafik droge.
2. Për opozitën dhe median që e denoncoi këtë skandal të qeverisë së Edi Ramës prokuroria ka kërkuar burgosjen.

Përpara se gjykata të marrë një vendim për këtë çështje, është në detyrimin tonë për të risjellë në vëmendjen e opinionit publik se procesi kundër opozitës dhe gazetarit Jetmir Olldashi është një proces i montuar, sipas urdhrit politik të Edi Ramës që prej fillimit të bërjes publik të skandalit.

Gjatë gjithë këtij 1 viti e gjysëm, Edi Rama, duke përdorur pushtetin politik mbi policinë dhe prokurorinë ka sajuar dosjen kundër opozitës, ka shpikur dhe paguar aktorët kundër saj, ka manipuluar dosjen, duke hequr prej saj përgjimet zyrtare që implikojnë në mënyrë flagrante dëshmitarin e saj të rremë dhe drejtues të lartë të policisë kundër opozitës në një proces të montuar politik.

Përgjimet zyrtare të prokurorisë, të patranskriptuara prej saj, në shkelje flagrante të ligjit, faktojnë 2 të vërteta:

1. vënien e qeverisë në shërbim të krimit dhe të mbulimit të tij për të shpëtuar qeverinë e Ramës
2. sajimin e dëshmitarit të rremë. Gjithçka kemi thënë që nga zbulimi i skandalit, provohet i vërtetë.

Përgjimi zyrtar me drejtorin e policisë së Fierit, fakton se policia është vënë në shërbim të qëllimit politik të qeverisë për të fshehur të vërtetën e vëllait të ministrit të brendshëm dhe për të akuzuar opozitën. Dokumentat zyrtare faktojnë se përvec gazetarit që po investigonte, Agron Xhafaj dhe Babalja ishin në survejim nga Shërbimi sekret dhe nga prokuroria për transportin e një sasie marramendëse droge. Përgjimet zyrtare faktojnë se, Fredi Alizoti, pranon që po merr para dhe se, në këmbim të tyre, nuk e ka problem të bëjë burg duke u shfaqur si dëshmitari rremë i qeverisë. Pergjimet tregojnë se si prokurori i shkarkuar nga vetingu, flet me dëshmitarin e rremë të qeverisë dhe e pret sa herë që ai ka nevojë, jashtë çdo procedure të lejueshme.

Faktet tregojnë degradimin e shtetit dhe përfshirjen në trafikun e drogës, se në qeverinë e Ramës pushtetin real e kanë kriminelët. Tregon edhe nënshtrimin e policisë, prokurorisë për interesa kriminale politike kundër kundërshtarit politik që denoncon lidhjet me krimin. Faktet në dosje tregojnë, më së paku, shpërdorimin e detyrës nga ministri i brendshëm, drejtuesit e policisë, implikim të numrit dy të partisë në pushtet në një çështje që përfshin në krim gjithë shtetin për sajimin e një dëshmitari të rremë kundër opozitës. Për fat të keq, asgjë nga këto nuk është bërë pjesë e hetimit. Pjesë e hetimit është bërë vetëm opozita dhe media, me një akuzë qsharake, të pabazuar në prova, të sajuar politikisht.”, tha Salianji.

Kujtojme se per Salianjin u kerkua 1.6 vite burg, qe u konvertua ne sherbim prove.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: