TIRANË

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për qëndrimin e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në parlament.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi thotë se Rama nuk zhgënjeu dhe sot dhe sipas tij, kryeministri shfaqet jashtë realitetit.

Bardhi shkruan më tej se ajo çfarë ka thënë Ministrja e Shëndetësisë është reflektim i situatës ku e ka zhytur Edi Rama vendin duke e akuzuar se i ka lënë shqiptarët të vetëm përballë krizës shëndetësore dhe ekonomike.

DEKLARATA E PLOTË
Edi Rama nuk zhgënjeu edhe sot! Është gjithmonë gati për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin. Sa më shumë përkeqësohet situata e pandemisë, aq më jashtë realitetit shfaqet Edi Rama dhe aq më i zellshëm është në mashtrime dhe videomontazhe.
Përpiqet të mashtrojë shqiptarët se nuk panë atë që panë dhe nuk dëgjuan atë që dëgjuan nga Ministrja e tij e Shëndetësisë: “Nëse kemi mbingarkesë në spitale, do të përballemi me zgjedhjen se kush do të trajtohet i pari”.
Ajo çfarë ka thënë Ministrja e Shëndetësisë është reflektim i situatës ku e ke zhytur Edi Rama vendin. Vetëm për të mos hequr dorë nga vjedhja me inceneratorët, koncesionet e tenderat Edi Rama i ka lënë shqiptarët të vetëm përballë krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike.
Propaganda e egër e Edi Ramës nuk fshin dot faktet:
· Sot në sistemin shëndetësor publik mungojnë tamponët për testim.
· ISHP vonon deri në 10 ditë përgjigjet e tamponëve.
· ISHP nuk ndjek zinxhirin e infektimeve për të ndaluar përhapjen e tij.
· Njerëzit nuk marrin kurim derisa shtrohen në gjendje kritike.
· Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve në Europë, numrin më të ulët të mjekëve dhe kapaciteteve spitalore.
Të gjitha këto janë përgjegjësi direkte e dështimit të Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut, që paguhen me shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Me propagandën dhe videomontazhet e Edi Ramës humbasin njerëzit e zakonshëm.

Bardhi
Bardhi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb