TIRANË

Përfaqësues të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar janë takuar sot me përfaqësues të biznesit të vogël dhe të mesëm dhe shoqatën e biznesit të vogël të Shqipërisë ku janë njohur me problematikat e tyre.

Dorjan Teliti, Drejtori i kabinetit në PD dhe ekspert i ekonomisë deklaroi pas takimit për mediat se sot biznesi i vogël dhe i mesëm që është zemra e çdo ekonomie po përjeton një infarkt që ka ndrydhur praktikisht ekonominë shqiptare dhe që i zhyt shqiptarët akoma dhe më shumë në varfëri. Sipas tij, xhirot e biznesit janë përgjysmuar pasi shqiptarët nuk kanë para në xhepat e tyre. Ai prezantoi dhe një pjesë të paketës së PD për këtë kategori duke theksuar se do të hiqen të gjitha taksat dhe do të lihet vetëm tatimi 0.5% e xhiros vjetore.

“Sapo përfunduam takimin me përfaqësues të biznesit të vogël dhe të mesëm, shoqatën e biznesit të vogël të Shqipërisë ku kemi diskutuar mbi hallet dhe problematikat të cilat po përjeton biznesi i vogël dhe i mesëm i Shqipërisë jo sot, jo dje por gjatë 6 viteve të qeverisjes së PS. Me keqardhje të madhe konstatojmë që hallet dhe problemet e tyre vazhdojnë gjithnjë e më shumë të rriten dita-ditës dhe takimi i sotëm ka ardhur pikërisht në vazhdën e takimeve e diskutimeve në teren që ne kemi pasur anë e mbanë Shqipërisë, ekipi i PD-së dhe i opozitës së bashkuar me bizneset e vogla dhe të mesme. Deri më sot kemi zhvilluar 58 takime anembanë Shqipërisë, në qytetet e Shqipërisë që nga Shkodra, Saranda, Durrësi, Tirana e kështu me radhë dhe hallet e problematikat e tyre janë nga më të ndryshmet. Në rastin më të mirë ato shprehen se janë përgjysmuar shitjet krahasuar jo me 6 vite më parë por krahasuar dhe me vitin e kaluar. Pra, biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri shet gjysmën e asaj që shiste një vit më parë”, deklaroi Teliti.

Sipas tij, ka biznese që kanë ulur xhiron e tyre edhe me 5 herë dhe kjo ka ardhur vetëm si pasojë e politikave të gabuara të qeverisjes, e taksidarëve që vazhdojnë dita-ditës të futen me dhunë në ambientet e biznesit duke i marrë dhe ato pak fitime që ata kanë, nga çmimi i lartë i energjisë, nga çmimi i lartë i karburantit i rritur, nga çmimi i ujit, i gjithë faturave tatimore dhe të sigurimeve shëndetësore e shoqërore të cilat nuk vonojnë as edhe një orë për t’iu ardhur në ambientet e tyre të biznesit ndërkohë që shteti nuk është prezent, strukturat nuk janë prezentë dhe vazhdojnë dita-ditës të rrënojnë biznesin.
“Biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri e kudo është zemra e çdo ekonomie, është zemra e ekonomisë shqiptare, e cila sot po përjeton një infarkt i cili është i tmerrshëm, që ka ndrydhur praktikisht ekonominë shqiptare dhe që i zhyt shqiptarët akoma dhe më shumë në varfëri. Ajo që ne diskutuam me përfaqësuesit e biznesit të vogël dhe të mesëm, me drejtuesin Nasto dhe kolegët e tij ishin dhe hapat e mëtejshëm që ne do të ndërmarrim në të ardhmen për përforcimin e marrëdhënieve tona, për përforcimin e bashkëpunimit të opozitës së bashkuar me shoqatën e biznesit me një interes të vetëm, mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm që ai të fuqizohet, ai të zhvillohet, ai të ketë mundësi pse jo të hapë edhe vende të reja pune dhe që të gjithë bashkërisht në ekonominë shqiptare të përjetojmë disa momente të mira dhe jo këto momente të tmerrit, këto momente të falimentit që po përjetojnë jo vetëm sot, jo vetëm dje por gjatë 6 viteve të fundit”, theksoi Teliti.

Ai tha se jemi në një situatë emergjence kombëtare.
“Kishim në datën 26 nëntor tërmetin natyror por kemi pasur dhe po përjetojmë dhe një tërmet ekonomiko-financiar të bizneseve të ekonomisë shqiptare. Bizneset po falimentojnë, po mbyllen me dhjetëra biznese çdo ditë, çdo mëngjes me dhjetëra biznese nuk hapin më qepenat e tyre. Dje funksiononte, sot jo. Pardje funksiononin, dje i kanë mbyllur qepenat e tyre. Janë me dhjetëra e mijëra biznese që kanë falimentuar gjatë vitit 2019 vetëm si pasojë e faktit që nuk ka shitje, nuk ka konsum, qytetarët shqiptarë nuk kanë para në xhepin e tyre për të blerë qoftë edhe produktet bazë dhe vazhdojnë të shtohen dita-ditës dhe ato pak biznese të hapura që kanë mbetur, listat ushqimore ku njerëzit me mund dhe lypin praktikisht tek tregtarët e vegjël që t’i japin vajin, sheqerin, bukën, djathin, gjalpin me listë ushqimore. Jemi në vitin 2019, jemi 29 vite nga hapja e tregut të lirë në ekonominë shqiptare por fatkeqësisht tranzicioni vazhdon të ekzistojë në tryezat e familjeve dhe të bizneseve dhe ne sot përballemi me një situatë e cila është alarmante.
I kemi parashtruar shoqatës së biznesit të vogël dhe vizionin tonë për sa i përket mbështetjes së biznesit të vogël, e cila duhet të jetë tashmë një prioritet absolut kombëtar për sa i përket zhvillimit ekonomiko social të vendit tonë, në mënyrë që ne të ringjallim shpresën dhe të gjallërojmë ekonominë shqiptare, e cila tashmë po vuan efektet marramendëse dhe efektet shumë negative të politikës tërësisht të gabuar, tërësisht oligopolistike, tërësisht klienteliste dhe tërësisht korruptive të qeverisjes aktuale të kryeministrit Edi Rama”, u shpreh më tej Teliti, raporton “BalkanWeb”.

Një tjetër premtim i PD-së për biznesin është edhe ndalimi i kontrolleve abuzive nga ata që i quan taksidarë.
“Ajo që në bëmë sot me përfaqësues të shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm të Shqipërisë ishte dhe prezantimi i platformës së PD-së dhe opozitës së bashkuar për rimëkëmbjen dhe ringjalljen e biznesit të vogël dhe të mesëm në të gjithë vendin. Atë që ne kemi bërë gjatë 58 takimeve në terren gjatë 2-3 javëve të fundit ku kemi parë nga afër hallet dhe problemet e biznesit të vogël por nga ana tjetër ne nuk jemi ndalur këtu, kemi prezantuar dhe platformën tonë dhe vizionin tonë se si mund të ringjallet biznesi i vogël dhe i mesëm dhe të ngjallet ekonomia shqiptare. Qartë dhe thjeshtë. Çdo biznes me xhiro vjetore deri në 140 mijë dollarë në vit, ose thënë ndryshe 350 dollarë në ditë do të paguajë zero TVSH dhe zero Tatim fitim të thjeshtuar mbi biznesin e vogël. Do të paguajë vetëm 0.5 % të xhiros, taksë fikse vjetore. E thënë ndryshe, akoma dhe më qartë: një biznes i cili bën xhiro 20 mln lekë të vjetra në vit do të paguajë taksë vjetore 100 mijë lekë të vjetra. Një biznes i cili bën xhiro 50 milionë lekë të vjetra në vit do të paguajë taksë vjetore 250 mijë lekë të vjetra, një biznes i cili bën xhiro vjetore 100 milionë lekë të vjetra në vit do të paguajë vetëm 500 mijë lekë taksë vjetore dhe kaq mbaron këtu. S’do të ketë më as taksa lokale, as taksa bashkiake, as taksa qendrore. Të tëra do të jenë në masën totale 0.5 % të xhiros. Gjithashtu do të vendoset pulla fiskale në xham. Mjaft dhe stop me kontrollet abuzive të taksidarëve! Çdo taksidar i cili do të guxojë në të ardhmen që nga momenti që ne do ta implementojmë, që nga momenti që ne do të kemi besimin e qytetarëve shqiptarë për të ardhur në drejtim të punëve të vendit me votë të lirë dhe të ndershme, që nga momenti i parë që do kemi mundësinë do të implementojmë këtë politikë pro biznesit të vogël dhe të mesëm dhe çdo taksidar s’do të ketë më me ligj të drejtën të hyjë brenda biznesit”, deklaroi Teliti.

Ai tha se në momentin që në xhamin e biznesit, në vitrinën e biznesit do të vendoset pulla fiskale në atë moment vërtetohet fakti që biznesi i vogël ka paguar detyrimin e tij vetëm në masën 0.5 % të xhiros dhe askush nuk do të ketë të drejtë të hyjë brenda për të vazhduar këtë politikë 6-vjeçare dërrmuese të marrjes me anë të ryshfetit, me anë të klientelizmit dhe me anë të abuzimit ato dy pak fitime që ka biznesi i vogël. “Gjithashtu biznesi i vogël, biznesi i mesëm po edhe ai i madh pse jo do të përfitojnë nga ulja e menjëhershme e çmimit të energjisë elektrike nga 20% deri në 40% në varësi të llojit të biznesit dhe gjithashtu çdo biznes i cili e ka në kostot e tij përdorimin e karburantit do të përfitojë uljen e menjëhershme të taksës ‘Rama’ mbi karburantin, një taksë tërësisht abuzive e cila nuk shkon në të mirë të qytetarëve shqiptarë, nuk shkon për investime, nuk shkon për shkolla, nuk shkon për infrastrukturë, nuk shkon për rritje pagash dhe pensionesh por ka shkuar në xhepat e 12 oligarkëve që vitin e ardhshëm nga data 1 janar 12 veta do të marrin 150 milionë dollarë, ndërkohë që 120 mijë biznese të vogla dhe të mesme nuk marrin asgjë përkundrazi vazhdojnë të robtohen, të dërrmohen dita-ditës, vazhdojnë të taksohen dita-ditës dhe t’u merren ato 2 pak fitime që ata kanë në biznesin e tyre të vogël familjar me të cilin mbajnë familjen gjallë, mbajnë burrin, gruan, mbajnë fëmijët për t’i paguar faturën e ushqimit, faturën e veshjes, faturën e arsimit, faturën e shëndetësisë e kështu me radhë. Politika jonë që ne propozojmë është e qartë dhe e thjeshtë, taksa të ulëta, jo procedura, shtet jo burokratik, shtet pro biznesit, me biznesin dhe për biznesin. As më pak dhe as më shumë. Nuk e premtojmë që Shqipëria do të bëhet si Gjermania, nuk premtojmë që biznesi shqiptar do të bëhet aq i fuqishëm sa ç’është në Francë, në Angli e kështu me radhë ama ne premtojmë që Shqipëria do të përjetojë një momentum ekonomik shumë më të mirë, më pozitiv se sa ku momentumi dërrmues të ekonomisë së shkatërruar tashmë të Shqipërisë, këtë e premtojmë. Me taksa të ulëta, pa burokraci, pullën fiskale në xham, çmim të ulët të energjisë elektrike, të heqim taksën ‘Rama’ mbi karburantet dhe çdokush në varësi të aftësive që ka të mbijetojë në treg”, u shpreh Teliti.

Ai theksoi se fati i biznesit të vogël dhe të mesëm apo edhe të madh nuk duhet të jetë në dorën e qeveritarëve, politikanëve apo ministrave.
“Të mos jetë fati i biznesit të vogël, të mesëm apo dhe të madh të mos jetë në fatin e qeveritarëve, mos të jetë në fatin e kryeministrit aktual apo dhe të kryeministrit të ardhshëm, të mos jetë në fatin e politikanëve, ministrave apo deputetëve por të jetë thjesht në dorën e tyre që ata me zotësi dhe aftësi të mbijetojnë apo jo në treg. Sot fatkeqësisht dhe dje dhe gjatë 6 viteve të fundit ne shohim që fati i biznesit nuk është në dorën e aftësisë që biznesi ka, nuk është në dorën e sa të zotë janë ata për të menaxhuar biznesin e tyre apo për të bërë tregti apo për të bërë biznes por është thjeshtë në dorën e qeverisë, të taksidarëve dhe të politikave të saj të gabuara. Kjo gjë ka për të marrë fund që në momentin e parë që PD dhe opozita e bashkuar me votë të lirë dhe të ndershme do të vijnë në drejtimin e punëve, menjëherë është domosdoshmëri implementimi i kësaj pakete ekonomike-fiskale që ne prezantojmë në mënyrë që të ringjallet ekonomia shqiptare, të ringjallet biznesi i vogël dhe i mesëm dhe çdokush ta ndërtojë jetën e tij këtu bashkë me familjen e tij, këtu në Shqipëri dhe të mos marrim rrugët e emigracionit ashtu si qindra mijëra shqiptarë i kanë marrë fatkeqësisht gjatë këtyre viteve të fundit”, u shpreh përfaqësuesi i PD, shkruan “BalkanWeb”.

Një situatë të rënduar përshkroi edhe Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto duke e akuzuar qeverinë për një goditje të qëllimtë mbi biznesin e vogël.
“Sot patëm takimin me përfaqësues të Partisë Demokratike, me përfaqësues të opozitës. E kemi dhe do ta kemi këtë bashkëpunim me çdo lloj opozite por dhe me qeverinë. Mos të harrojmë se gjendja e biznesit të vogël sot është nga më të rëndat e 29 viteve. Janë mbyllur për 6 vite, 98 mijë biznese. Sipas analizave tona, që ne kemi bërë si shoqatë, shkaku ka qenë çmimi i lartë i karburantit, çmimi i lartë i energjisë, korrupsioni, evazioni, selektiviteti, gjobat, dyfishimi i gjobave dhe sidomos futja e biznesit të vogël në TVSH nga 5 mln lekë të reja, në 2 mln lekë të reja qe goditja më fatale që bëri qeveria Rama. Kjo goditje qe e qëllimshme, falimentuan vetëm në 2018, 18 mijë biznese mos të harrojmë. Do nxjerrim shifrën e saktë pas disa ditëve se sa kanë falimentuar në 2019 por të gjitha po themi për ndryshimin e sistemit të taksave, ndryshimi fiskal që po bën qeveria shqiptare që është shumë i gabuar, që është ndoshta në kohën më të gabuar, është i qëllimshëm, është një goditje vdekjeprurëse sepse dyfishon gjobat dhe nuk ka bërë asnjë transparencë me grupet e interesit dhe me biznesin. Po themi, të marrësh një kasë fiskale nesër, fiskalizimi që themi ne, një biznes 1300 euro dhe 200 euro mirëmbajtje në vit, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ky program i kasave fiskale bëhet vetëm në dy vende, në Kroaci dhe diku tjetër dhe ka dështuar. Ne nuk kemi besim se me kasat e reja apo me futjen e biznesit të vogël në TVSH do rregullohet diçka, jo”, deklaroi ai.

Nasto theksoi se kjo është goditje fatale dhe goditje vendimtare, për të goditur qeveria qëllimisht biznesin e vogël dhe të mesëm që ai të mbarojë dhe shërbimet t’i marrë monopoli dhe oligarkia.

“Kjo është shumë e gabuar. Ne sot me përfaqësuesit e PD dhe me zotin Teliti thamë çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon, së bashku do bashkëpunojmë, ne i kërkuam pikat që ne mund të bashkëpunojmë për çështjen e energjisë, uljen e çmimit të energjisë, të karburantit etj, do bashkëpunojmë për të gjitha. Duhet ndryshuar urgjentisht kjo situatë armiqësore apo gjendja e keqe ekonomike për biznesin. Biznesi po ikën, biznesi po falimenton, biznesi po mbaron nga gjithçka. Biznesi ka borxhe, po gjobitet, biznesi terrorizohet qëllimisht nga qeveria apo nga struktura të veçanta të qeverisë. Jemi në gjendjen më të keqe. Jemi në gjendjen që nuk kemi qenë në 29 vite prandaj i kërkojmë zotit Teliti, përfaqësuesve të PD, i kërkojmë opozitës por edhe qeverisë sot sepse nuk shkon më kjo situatë. Duhen taksa të ulëta, duhet ndryshuar, duhet komplet një program i mirë ekonomik që biznesi i vogël, që ekonomia shqiptare të rritet, të lulëzojë dhe të përparojë sepse kështu kjo situatë po na çon drejt një gremine, drejt një situate që askush nuk e dëshiron”, u shpreh përfaqësuesi i biznesit të vogël.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb