TIRANE – Partia Demokratike vijon akuzat ndaj ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, të cilin e cilëson si kampion të korrupsionit, pasi në 22 muaj ka marrë 28 tendera për kompaninë e tij. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha se “kompania modeste e cila përpara vitit 2013 deklaronte shitje në vlerën 63.160.011 dhe Fitim Neto 8.892.074 lekë, dy vjet pasi themeluesi i saj, Ilir Beqaj ka marrë postin e ministrit, ajo është shumëfishuar, ka arritur vlerën e shitjes në 160.760.830 lekë duke rritur Fitimin Neto në 42.783.998 lekë.”

“Ndërsa qytetarë të shumtë përplasen dyerve të Spitaleve, ku shëndetësia është në ditën më të keqe e ku paguhet shumë shtrenjtë gjithçka, ndërkohë që sistemi i është dhënë klientelës me koncesione me fitues të paracaktuar, kur nga arka e shtetit në dy vite kanë dalë 35 miliardë lekë, por në spitale mungojnë ilacet dhe mjetet bazike, Ministri i Shëndetësisë vazhdon i qetë nga zyra e tij të fitojë tendera nën emrin e kompanisë që deri më 9 shtator 2013 e kishte edhe me letra të vetën. Shumë biznese po mbyllen nga taksat e larta e arbitrariteti i qeverisë, por ka disa biznese që lulëzojnë si rasti i kompanisë Intech+. Një kompani modeste e cila përpara vitit 2013 deklaronte shitje në vlerën 63.160.011 dhe Fitim Neto 8.892.074 lekë, dy vjet pasi themeluesi i saj, Ilir Beqa ka marrë postin e ministrit, ajo është shumëfishuar, ka arritur vlerën e shitjes në 160.760.830 lekë duke rritur Fitimin Neto në 42.783.998 lekë. Qëkurse ministri i shëndetësisë, z. Beqja, ka hyrë në zyrë, kompania e tij ka rritur fitimin me gati 100 milion lekë të reja ose 2.5 herë më shumë dhe ka sjellë një 5-fishim të fitimit neto të deklaruar. Kam këtu pasqyrat e të ardhurave dhe shpenzimeve të deklaruara nga kjo kompani që tregojnë këto shifra marramendëse dhe ju mund ti shihni në ekran.”- deklaroi Tabaku.

Sipas PD-së, “në vitin e dytë të qeverisjes, shqiptarët janë të zhgënjyer nga premtimi i pambajtur për shëndetësi falas, por Beqja i Edi Ramës është i lumtur pasi Intech+ po merr para pa fund nga shteti nga institucionet, nga çdo zyrë e publike. Në 8 muajt e parë të vitit 2015 kompania që themeloi ai, rezulton të ketë kontraktuar e vetme kontrata shtetërore në vlerë 211.273.980 lekë ose gati 4 herë me shume se e gjithë volumi i vitit 2013.”

“Ndërkohë që qytetarët po burgosen për një kupon tatimor për dyqanin ku mezi ushqejnë familjen, kur varfëria ka shkuar në skaj, kur papunësia rritet e rritet cdo ditë, kur njerëzit i luten zotit të mos shkelin në spitale për shkak të shërbimit skandaloz, ministri Intech +, ka siguruar deri më tani 14 tendera në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm për vitin 2015 në vlerën e 795.320.911 Lekëve ose rreth 7 milionë euro.”- theksoi deputetja Tabaku.

“Në 22 muaj janë plot 28 tendera që kjo kompani ka fituar e shumë prej tyre janë me prokurim të drejtpërdrejtë, pa zhvilluar as një proces tenderi, pa garë, por me urdhër, me porosi për kompaninë Intech+. A mundet që një kompani modeste të fitojë kaq shumë para nëse ish-aksioneri i saj kryesor nuk do ishte bërë ministër i shëndetësisë? A mundet që një kompani me një numër modest punonjësish të fitojë minimalisht për vitin 2015 dy tendera me shuma mbi 100 mln lekë? Përkatësisht 181 mln lekë (siç është rasti i AKSHI) apo edhe e 149 mln lekë (siç është rasti i OSHEE), Ministria e Financave, Insituti i Sigurimeve Shoqërore, ZRPP, etj. Kjo nuk do të ishte e mundur normalisht, por kjo është skema e Edi Ramës dhe ministrave të tij, për t’u pasuruar me taksat e shqiptarëve, për të vjedhur sa më shumë. Kjo është qeverisja rilindase, shqiptarët më të varfërit në europë me ministrat më të pasur në kontinent. Ky korrupsion, kjo zhvatje e parave të shqiptarëve duhet ndalur, dhe abuzuesit duhet të përgjigjen para ligjit. Bashkë me qytetarët, do ti ndalim, e do vëmë ligjin mbi vjedhjen, ligjin mbi korrupsionin.”- përfundoi Tabaku.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: