Partia Demokratike ka sulmuar ashpër kryeprokuroren Arta Marku, që sipas kësaj force politike, po ndihmon kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun, përmes një loje të mirëmenduar kriminale, duke vonuar sa më shumë të vërtetën mbi arrestimin e tij në Greqi.

Duke publikuar të dhënat e sistemit TIMS, që faktonin arrestimin e tij, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, tha se këtë e di edhe kryeministri Edi Rama, por përmes “Katicës” së tij në Prokurori, po tenton të mbrojë kriminelin e radhës.

“Këtë e di edhe Edi Rama. Këtë e dinë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo është një provë e pakontestueshme që organi i prokurorisë mund ta verifikojë brenda 1 minuti, sepse ka akses të plotë në sistemin TIMS. Por “Katica” e korruptuar e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk e bën këtë, sepse po zbaton strategjinë e Edi Ramës për të mashtruar opinionin publik. Arta Marku shpërndan lajme që ajo po vepron me shpejtësi dhe i ka kërkuar subjektit nën verifikim që të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike.

Kjo është e paligjshme. Sipas ligjit të dekriminalizimit, gjurmët e gishtave nuk i kërkohen personit. Ato merren në sistemin e të dhënave shtetërore biometike të shtetasve shqiptarë. Agim Kajmaku është i pajisur me pasaportë biometike dhe shenjat e tij të gishtave gjenden në sistem. Sipas ligjit ato i kërkohen personit që t’i depozitojë vetëm nëse nuk ndodhen në sistem. Ky nuk është rasti as i Agim Kajmakut, as i Valdrin Pjetrit, sepse që të dy janë në sistem dhe posedojnë një pasaportë biometrike.

Akti i paligjshëm i Arta Markut me kërkesën për dhënien e gjurmëve të gishtave, është një lojë e mirëmenduar kriminale, që synon të vonojë dhe të mbrojë kriminelët e pushtetshëm të Edi Ramës. Mbi këtë fakt skandaloz dhe të paligjshëm të kryer në bashkëpunim nga Edi Rama dhe Arta Marku, Partia Demokratike ka informuar që dje, në mënyrë urgjente, të gjithë trupin diplomatik në vend.

Partia Demokratike rithekson se Edi Rama dhe “Katicat” e tij të korruptuara në prokurori, mund ta pengojnë apo vonojnë nxjerrjen e rezultateve zyrtare për këtë rast, por ato nuk do të arrijnë kurrë ta fshehin të vërtetën apo të zgjasin agoninë në pushtet të Edi Ramës. Edi Rama do të largohet me turp dhe do të hyjë në histori si Kryeministri që i la trashëgimi këtij vendi vetëm kriminalizimin e çdo zyre të shtetit dhe promovimin në politikë e administratë të një armate me kriminelë, vrasës, përdhunues, trafikantë droge e deri tek falsifikatorë të parave”, tha Bardhi.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb