TIRANË – Akuzat e Tom Doshit kanë përplasur selinë e Partisë Demokratike me ministrin e Brendshëm. Partia Demokratike ka bërë sot një kallëzim penal ne prokurori për Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didin.

Në një deklaratë për mediat, Ristani tha se Tahiri e Didi akuzohen për shpërdorim të detyrës, fshehje të krimit të planifikuar dhe pengim të zbulimit të së vërtetës.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, pasi dorëzoi kallëzimin në Prokurori, deklaroi: “Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kallëzohen për shpërdorim detyre, pengim të zbulimit të së vërtetës e moskallëzim krimi, të gjithë këto në lidhje me skenarin e porositjes së vrasjes së dy deputetëve, ngjarje për të cilën është akuzuar kryetari i Parlamentit, Ilir Meta”.

Sipas Ristanit, ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë janë vënë në dijeni për ngjarjen e rëndë dhe për 6 muaj me radhë nuk kanë ndërmarrë asnjë hap ligjor, madje e kanë mbajtur gjithçka të fshehtë.

“Partia Demokratike dorëzoi sot në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin ndaj ministrit të Brendshëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe për njësërë veprash të tjera si pengimi për zbulimin e së vërtetës apo për moskallëzim të krimit. Një zhvillim shumë i shëmtuar me ngjarjen “Doshi” dhe patjetër është një ngjarje e denjë për këtë bandë që kemi në pushtet. Ju e dini që ministri i Brendshëm ka kryer veprimet jo si një shtetar dhe jo ashtu siç një shtetari i takonte të vepronte, por tamam si një shok i bandës i cili ulet me njerëz me precedent penalë, me njerëz që dyshohet se janë të porositur për të kryer vrasje, në ambjente zyrtare apo në ambjente jo zyrtare. Më pas deklaron në mënyrë të përçartur se është ai që ka bërë hetimet, është ai që ka bërë edhe konkluzionin, është edhe ai që në fund fare jep edhe vendimin. Lidhur me kallëzimin që ne kemi bërë është e vërtetë që do punë dhe përpjekje, përkushtim dhe cilësi në hetim për të provuar nëse është e vërtetë që kreu i Parlamentit ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Por është një hetim formal nga pikëpamja e procedurës që duhet ndjekur për të vazhduar e vërtetuar që ministri i Brendshëm ka shpërdoruar detyrën, ka penguar zbulimin e së vërtetës, nuk ka kallëzuar krimin sipas detyrimit që ka”, deklaroi për mediat Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, pasi kishte dorëzuar kallëzimin penal.

“Sigurisht që jo vetëm besojmë në hetimin e plotë të kësaj ngjarje por edhe e inkurajojmë Prokurorinë e Përgjithshme që të ngrihet në nivelin e duhur ashtu siç i takon një prokurorie të një vendi demokratik dhe të shmanget nga presioni, tensionet politike, apo interesat politike. Unë besoj se mund ta shmangë”, tha Ristani.

MINISTRI: PËRBALLEMI NË PROKURORI, PO BERISHA PSE I SHMANGET?
Menjëherë pas kallëzimit penal që PD bëri ndaj tij, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar dhe është shprehur se nuk ka frikë të përballet me PD. Gati, thotë ministri, jam të përballem në gjykatë e prokurori por ndërkaq i drejton selisë blu, pyetjen, “Pse i shmanget Prokurorisë, Sali Berisha?’

“PD vazhdon thellohet ne bashkefajesine per ngjarjen e provokuar nga akuza pa asnje baze e Tom Doshit. Une nuk ka pasur, nuk kam dhe nuk do te kem asnjehere problem te perballem me PD. Qofte ne prokurori, qofte edhe ne gjykate.
Por sot pyetja me vend eshte: Po Sali Berisha pse i shmanget fteses se prokurorise?!”
Ministri më pas bëri dhe një përshkrim të figurës 25-vjecare të Berishës në politikë.
Sipas tij, Berisha që hiqet si kreshnik malesh, ka frikë të shkojë në prokurori.
“Ky burre qe ka 25 vjet qe akuzon dhe pergojon gjithe dynjane; Qe ka quajtur vrases dhe hajdut gjysmen e Shqiperise; Qe ka lexuar me qindra here librin e shtepise se cdo kundershtari, nuk ka pasur kurre guximin te shkoje ne prokurori.
Ky trim qe ka 25 vjet qe hiqet si kreshniku i maleve dhe qe u fsheh si mi ne kepucen e policise kur prokuroria hapi 21 janarin, ka frike te shkoje ne prokurori edhe si person ne dijeni per ngjarjen, lere me pastaj si deshmitar apo mos pyet fare si akuzuar!
Por kete here Saliu nuk mund te shmanget duke treguar perralla per kundershtaret dhe duke turrur oficeret e Shqupit me dosje qesharake drejt prokurorise.
Jo, kete here Sali Berisha duhet te provoje se nuk eshte sponsor i filmit te shemtuar!”.
Sipas Tahirit, Berisha do i shpëtonte neverisë së opinionit nëse do të tregonte në prokurori njerëzit që ai thotë se e vunë në dijeni për organizim vrasjesh.
“Dhe kete mund ta provoje vetem duke treguar ne prokurori njerezit qe ai thote se e vune ne dijeni per organizim vrasjesh. Perndryshe do te perballet me fort se kurre me neverine e opinionit publik dhe me fuqine e Aleances per Shqiperine Europiane.”

PD: ORA E DREJTËSISË PO VJEN, SAJMIRI I TMERRUAR
Partia Demokratike ka reaguar sot pas fjalës së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke e quajtur atë shofer të Shullazit dhe ministër që pret në zyrë të akuzuarit për vrasje.
Sipas PD-së, reagimi i sotëm i Tahirit ishte një reagim prej frikacaku, ndërsa shton se ora e së vërtetës është duke ardhur.
“Shoferi i Shullazit, ministri i krimit që pret në zyrë të akuzuarit për vrasje reagoi sot si frikacaku që po i rrëshqet nën këmbë pushteti i drogës dhe i trafiqeve. Ora e drejtësisë po vjen dhe Saimiri është i tmerruar. Nuk e shpëton dot Sajmen e krimit as Mili, as Dumi dhe as padrinot Rama-Meta në krye të parlamentit dhe qeverisë. Ora e të vërtetës, ora e përballjes me popullin po vjen”.

(d.b/ar.sh/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb